Ambasada e Francës në vendin tonë ka reaguar pas kritikave të kryeministrit Rama në emisionin “Open”, në lidhje me politikën e ndjekur nga BE me vendet e Ballkanit për vaksinën antiCovid.

Sipas Ramës BE nuk i kushtonte asgjë që të dhuronte vaksina për Ballkanin. Kryeministri ka shtuar se marrëveshja u lidh me Pfizer falë punës dhe kontakteve personale të tij.

“Këshilli Evropian, egoizmi i disa shteteve mori vendimin që vaksina ti ndanin dhe thanë që mund të bëheshin negociata bilaterale. Dhe Komisioni i BE nuk ka në dispozicion. Ne nuk kemi kërkuar lekë. Kanë vënë  70 mln euro por ca do blemë me ato? Ne kemi vaksina se kemi kontratë me Pfizer. Kjo është falë kontakteve personale. Covaxi është platformë që shpresojmë të sjelli doza. Nuk kemi nevojë për parate e BE se ne kemi parapaguar. Kritikave të mia nuk ju heq asnjë presje. Lidhen me disa vende që egoizmin dhe cinizmin e kanë kthyer në BE. Nuk ju kushtonte asgjë. Franca ca kuptimi ka që të ketë stok që nuk e injekton dot dhe t’mos i thuash këtyre 6 vendeve që marrin jo shumë por të paktën ta fillojnë. Të atyre që janë të ekspozuar ndaj rrezikut. Kjo ka qenë kritika ime”, deklaroi Rama për “Open”.

Në një letër dërguar Ministrisë të Jashtme, Ambasada i kujton Ramës se BE, është donatori më i madh në vend me 100 milion euro. Më tej, mohon që Franca të ketë stok vaksinash, dhe thotë se nuk është e përshtatshme për një kryeministër të sulmojë hapur një vend mik dhe aleat si Franca.

Më tej, në reagim sqarohet se BE është donatori më i madh në Shqipëri me më shumë se 100 mln euro në shumë sektorë, ndërsa lidhur me pandeminë iu referua njoftimit të Komisionit Europian, i cili më 8 janar sqaroi se portofoli global i BE-së prej 2,3 miliardë dozash nuk ishte vetëm për ta, por edhe për vendet fqinje.