ELBASAN, 13 prill 2013 – “FRD brenda një viti është shtuar në të gjithë territorin e vendit dhe ky formacion i ri politik njëvjeçar ka ristrukturuar një frymë të re demokratike, një frymë e neglizhuar nga politika tradicionale”. Kështu ka deklaruar kreu i FRD, Bamir Topi, gjatë një takimi në Elbasan ku ka prezantuar drejtuesit e strukturave të qarkut të kësaj partie. 

Sipas Topit, “në përfundim të mandatit të dytë kjo qeveri në pjesën më të rëndësishme të saj ka dështuar, në mënyrën e funksionimit të shtetit. Mendoj se kjo klimë në prag të fushatës elektrorale të 23 qershorit duhet të na garantojë një harmoni të plotë midis strukturave të FRD-së. Pra, ne duhet të krijojmë një frymë të vërtetë tek përfaqësimi dinjitoz dhe fitorja në datën 23 qershor”, tha Topi. 

Duke u ndalur tek klima aktuale politike, Topi shtoi se “të gjitha këto lëvizje i ngjajnë një terreni sizmik që është e vështirë të parashikosh ku shkon njëri dhe tjetri”. Sipas tij, FRD është një parti shumë serioze që parimet e veta do t'i ndajë në funksion të shtetit dhe qytetarëve për t'i dhënë fund një tranzicioni të mundimshëm. 

Topi akuzoi të dy krerët e partive të mëdha duke e cilësuar një dështim të politikës së opozitës dhe mazhorancës situatën e krijuar në KQZ. 

/m.b. Agjencia e lajmeve "Dyrrah"/