Plot energji, me intuitë, vullnet dhe organizator shumë i mirë i punëve. Kështu e cilësojnë Elton Arbanën, ata që kanë punuar apo punojnë me të, aktualisht kryetar i Bashkisë së Shijakut.

Ai ka nisur angazhimin ndaj komunitetit dhe përfshirjen në Partinë Socialiste në radhët e të rinjve para shumë vitesh.

Në këtë intervistë na tregon më tepër mbi hapat e tij të parë si Kryetar i Partisë Socialiste të Shijakut, për marrëdhënien me të rinjtë dhe gjithashtu përfshirjen e tyre në çështje që janë në të mirë të komunitetit.

Çmund të na thoni për fillimet tuaja në politikë?

Mbaj mend që gjithçka ka ardhur shumë natyrshëm. Unë isha kthyer nga Turqia pas studimeve dhe kisha bindjen e plotë që t’i shërbeja qytetit tim. Nisa një rrugëtim pa e ditur se ku do të arrija, me ide të qarta për tu aktivizuar e për t’i shërbyer njerëzve, për të dëgjuar problemet e tyre e mesa mundesha të krijoja mundësi për zgjidhjen e tyre.

Si ka qenë bashkëpunimi juaj me të rinj të tjerë pjesë e Partisë Socialiste?

Gjithmonë kam vlerësuar bashkëpunimin si një ekip i përbashkët, sepse mendoj që me gjithë entuziazmin dhe këmbënguljen që karakterizon këtë moshë mund tja dalin të jenë një zë i rëndësishëm për vendimmarrje në çështje të caktuara. Modeli personal ka shumë rëndësi. Mendoj se ndonjëherë je në vendin dhe kohën e duhur. Tani që kthej kokën pas falenderoj ato që më besuan, sepse më dhanë mundësi jo vetëm të zhvilloja veten, por dhe të mundem t’i shërbej njerëzve. Pozicionet drejtuese përveçse privilegj janë përgjegjësi.

Po sot ç’mund të thoni për të rinjtë që kërkojnë të jenë pjesë e FRESSH?

Mendoj se duhet të jetë diçka te e cila besojnë vërtet. Idetë e reja kanë gjithashtu shumë rëndësi. Duhet të kenë një frymë pozitive, duhet një mendësi e re, të jenë bashkëpunues dhe ta duan shumë Shijakun.

Po si kryetar i Bashkisë çfarë hapësire kanë të rinjtë?

Ne kemi krijuar ura komunikimi me çdo të ri. Stafi ynë është plot me të rinj. Gjithashtu me Rindërtimin e Shijakut ne do t’i japim mundësinë të rinjve të përfshihen më shumë në jetën kulturore dhe artistike të qytetit. Ne mund të ndikojmë dhe të punojmë të gjithë për një të ardhme më të mirë të Shijakut. Ku ka vullnet, ka zgjidhje!