“Këta nga Tirana mesa duket janë më të zgjuar sesa ne!” Me pak doza ironie shprehet nr.2 i Partisë Socialiste të Durrësit, Arben Isaku, lidhur me emërimet më të fundit në bashki dhe institucionet më të rëndësishme në Durrës të të importuarve nga kryeqyteti.

Sekretari organizativ i PS-së së Durrësit shprehet se pavarësisht faktit se në shumë emërime po evitohet krejtësisht mendimi i strukturave drejtuese të degës, kjo nuk e dobëson partinë.

“Partia Socialiste e Durrësit është një forcë e madhe. Pavarësisht disa pakënaqësive, besimi i bazës dhe mbështetësve tanë nuk është dobësuar”,– deklaron Isaku për DurrësLajm.

Drejtimi i shumë institucioneve nga persona që katapultohen nga Tirana në qytetin bregdetar ka nxitur reagimin e bazës socialiste. Të shumtë janë ata që habiten me morinë e drejtuesve nga kryeqyteti që kanë zbarkuar në Durrës dhe zemërimin e tyre e shprehin qoftë në rrjete sociale apo në biseda të përditshme. Si asnjëherë më parë në këto 6 vite që socialistët janë në pushtet, 9 institucione drejtohen nga të importuar nga kryeqyteti. Dhe lista mund të shtohet edhe më shumë në ditët në vijim…

Pas prishjes së koalicionit PS-LSI, nuk ka më ndarje të tortës së pushtetit, siç ndodhi në 4 vitet e para të qeverisë Rama. Por, në 2 vitet e fundit, përqendrimi i të gjithë pushtetit në duart e PS solli në Durrës një mori rilindasish nga kryeqyteti, që në Tiranë punonin specialistë në institucione të ndryshme dhe në Durrës u katapultuan drejtorë. Madje, disa nuk kishin as formimin e duhur profesional për të drejtuar institucione të rëndësisë së veçantë.

Ndërkohë, lidhur me atë që ndodhi në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak, ku u duk sikur ka tension në marrëdhëniet mes kryetares dhe këshillit, Isaku, në cilësinë edhe të kreut të grupit të këshilltarëve socialistë, shprehet se raporti mes të dy palëve është mjaft i mirë.

“Ne po bëjmë punën tonë si këshill dhe po respektojmë rigorozisht pjesën e legjislacionit. Debati mes kryetares së bashkisë dhe kreut të Këshillit të Qarkut lindi, pasi Alfred Mullaraj iu referua deklaratës së kryebashkiakes Valbona Sako bërë një mbledhje më parë. Na ishte thënë që fondi do të përdorej për shkolla, kopshte e çerdhe, por në mbledhjen e fundit doli që gjysma e fondit do të shkonte për rikonstruksionin e bashkisë. Për këtë arsye erdhi reagimi i Mullarajt. Por ju siguroj që marrëdhëniet janë shumë të mira mes kryetares dhe këshillit”,- thotë Isaku.

Nga ana tjetër, lidhur me shkarkimin e sekretarit Ardian Tragaj, Isaku pranon se ishte vendim politik shkarkimi i tij, pasi ish-sekretari nuk është pjesë e PS dhe u zgjodh në atë post 4 vite më parë nga marrëveshja me LSI-në. 

M.B.