Partia Demokratike ka nisur punën për fushatën elektorale dhe ky proces po starton me përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë dhe kryetar bashkie nga anëtarësia.

Në Durrës, ku në detyrë qëndron një kryebashkiake e zgjedhur me votën e Këshillit Bashkiak dhe jo elektoratit (pas dorëheqjeve të Valbona Sakos dhe Zhuljen Varfajt) pritet të mbahen zgjedhjet për pushtetin vendor.

Muajt e verës pritet të jenë të “nxehtë” për demokratët durrsakë, pasi nga propozimet e anëtarësisë do të dalin emrat e kandidatëve për deputetë dhe kryetar bashkie dhe më pas do të jetë sërish anëtarësia që do të votojë për përzgjedhjen e tyre.

Procesi i propozimit, konsultimit dhe përzgjedhjes së kandidaturave për përfaqësimin e PD-së në nivel qendror dhe lokal do të monitorohet nga Grupi Qendror i Koordinimit, që është i ndryshëm për çdo qark apo grup degësh.

DurrësLajm mëson se për ta mbikqyrur këtë proces në qytetin bregdetar janë caktuar si anëtarë të GQK-së Edmond Spaho, Ina Zhupa dhe Aleksandër Biberaj.

PD po aplikon për herë të parë këtë mënyrë përzgjedhjeje kandidatësh dhe procesi do të kalojë përmes disa fazave, për të cilat janë përcaktuar edhe afatet e nisjes dhe përfundimit. 

Udhëzimi për përzgjedhjen e kandidaturave parashikon kriteret që duhet të përmbushin kandidatët, ku mund të veçohen kriteret që lidhen me profilin e spikatur shoqëror në Degë apo Qark, integritetin e lartë moral dhe përgatitjen e lartë profesionale; standardet e dekriminalizimit dhe dekomunistizimi. Seleksionimi i kandidatëve bëhet sipas një metodologjie të shpallur paraprakisht nga Komisioni i Vlerësimit të Kandidatëve. Secili kandidat plotëson një formulat që përmban të dhënat personale, profesionale dhe politike, duke përfshirë edhe integritetin dhe pastëritë e figurës.

Procesi do të realizohet sipas afatave të paracaktuara dhe të shpallura publikisht.

Faza 1: Identifikimi i kandidaturave të mundshme

25 Qershor – 31 Korrik 2020

Faza 2: Seleksionimi i kandidaturave të mundshme

1 Gusht  – 15 Shtator 2020

Faza 3: Konsultimi i kandidatëve me anëtarësinë

15 Shtator – 30 Shtator 2020.

Faza 4: Përzgjedhja  

Sipas afateve ligjore të parashikuara në Kodin Zgjedhor