Në një postim në Facebook, deputetja e re e PD-së për qarkun e Durrësit, Fatbardha Kadiu, vë theksin në problematikat që kanë shoqëruar këtë sezon turistik.

Në një shkrim të gjatë, Kadiu përmend mungesën e ujit të pijshëm, energjisë elektrike, abuzimit me çmimet në zonat bregdetare, rradhët e gjata në dogana etj.

Duke e quajtur “Ai” personazhin e saj, historinë e të cilit tregon në shkrimin e saj, Kadiu shpjegon se “Ai” “është ai që e votoi këtë qeveri, ai që nuk e votoi kete qeveri, ai që nuk shkoi fare të votonte, ata emigrantë që donin të votonin por nuk votuan dot, ai te cilit j'u ble vota. Ështe Un, ti, ai gjithkush qe jeton ne kete vend eshte "Ai".

Postimi i plotë i Fatbardha Kadiut

Një ditë e “tij”

Ngrihet në mëngjes. ”Ai” shkon të bëj një dush por ujë nuk kishte. Atëhere vendos të pinte kafen e të shkonte ashtu në plazh.

Zbret nga kati i shtatë me ashensor por duke qëne se i ikin dritat mbetet brenda. Çuditet sepse qeveria e “tij” sapo kishte miratuar 60 milion euro shtesë buxheti për blerje energjie.

Pas disa minutash dikush e dëgjon në ashensor dhe e ndihmon për të dal nga ashensori. Kur zbret shkallët në katin e parë të pallatit gjen faturat e veta si të ujit ashtu dhe të dritave që i paguante gjithmonë.

Zbret në garazhd, por ç' të shoh, i kishin vjedhur pasqyrat e makinës dhe i kishin thyer xhamin e saj. Ai mërzitet por nuk dorëzohet…… Hajduti ishte një trembëdhjetë vjeçar… kushedi se sa probleme familjare duhet të ketë pasur hajduti….

Ashtu me xham të thyer niset për të shkuar në plazh së bashku me familjen e “tij”. Rrugëve të qytetit shëtiste një makine me një reklamë super të madhe, elektronike, për striptiz. I erdhi turp nga fëmijët por përsëri vazhdoi rrugen "Ai". Gjatë rrugës shikonin dhe disa vatra zjarri ne faqet e kodrave dhe të maleve.

Parkoi makinën, qentë e rrugës e shoqëruan deri në rrugën e plazhit.
Donte të gjente një vend për veten dhe familjen. Duke ecur buzë detit i zunë sytë një kanal ku po derdheshin ujrat e zeza në det. Diku më larg dëgjoi disa zëra " u mbyt u mbyt". Dikush mesa duket ishte mbytur.

Më mirë po shkoj diku tjetër mendoi "Ai". Para se të kthehej tek makina e tij mendoi të blinte ujë, aty tek bari pranë detit. Bleu nje bidon uji, të vogel. Çuditetisht çmimi ishte trefish nga ai normal që gjen çdo ditë në dyqan. Por fëmijet donin ujë për rrugës ndaj "Ai " e bleu. Në fund shitësi i dha një fature e cila as fature tatimore nuk ishte.

Po shkoj këtu afër, mendoi "ai", në shtetin fqinj dy ore larg është fundja. Me këtë rast mendoi ai po mbush dhe makinën plot me nafte duke qënë se çmimi i naftës tek shteti fqinj është shumë më i lire,ose e thënë ndryshe çmimi i naftës në vendin tonë është më i shtrenjti në rajon.

U kujtua që duhej siguracion për jashtë kufirit, megjithëse po shkonte vetëm për një ditë. Ç’të shikonte çmimi i siguracionit minimal fillonte nga 40 euro. Shtrenjtë shumë shtrenjtë për të por…..

Duke pritur në doganë shikonte rradhët e pafundme të shqiptarëve emigranete që hyjnin e dilnin nga Shqipëria. Por rradha ishte aq e gjatë sa një ndjenjë trishtimi e kaploi të tërin.

Pas disa minutash u gjend tek sporteli në doganë. Polici nisi nje sërë pyetjesh saqë ju duk vetja si në hetuesi dhe jo në kufi.

Me të kaluar në vendin tjeter fqinj, “Ai” u ndje i respektuar, i sigurt dhe i mirë informuar.

Pas gjithë këtyre ngjarjeve më në fund "ai" ishte në plazh. Për fat kishte marrë disa gazeta me vete që të lexonte shtypin e ditës. Hap faqen e parë dhe ajo që lexon ishin: " Pasuritë marramëndëse të gjygjtarëve"; “fletet e tepërta të votimit të porositura nga KQZ; ”Shqipëria dhe tregu i drogës; 
E në fund për ta mbyllur " rreziku për heqjen e vizave"

Po kush ishte ky fatkeq???? 
Është ai që e votoi këtë qeveri, ai që nuk e votoi kete qeveri, ai që nuk shkoi fare të votonte, ata emigrantë që donin të votonin por nuk votuan dot, ai te cilit j'u ble vota. Ështe Un, ti, ai gjithkush qe jeton ne kete vend eshte "Ai".