Ka vende që flasin për elita apo dinasti politike dhe nënkuptojnë karrierat e larta drejtuese të të njëjtës familje në breza. Shqipëria nuk ka pasur traditë të tillë, kryesisht sepse elitat u shkatërruan gjatë ose në fund të Luftës II Botërore.

Gjatë sistemit komunist kishim emërime familjare në politikë, – p.sh, tre drejtuesit më të lartë të regjimit, Hoxha, Shehu e Kapo kishin edhe gratë e tyre në Komitetin Qendror dhe deputete! Në demokraci supozohej se do të kishim ndryshim elitash dhe krijim të elitave cilësore. Nuk ka ndodhur dhe as nuk pritet të ndodhë të paktën edhe në një dekadë. Por kemi pasur dhe kemi familjare që kanë pasur poste të larta politike (ministra, kryeministra, etj) dhe deputetë që kanë pasuar njëri tjetrin në parlament. Fjala vjen, Ben Blushi pasoi deputet babanë e tij, – të dy duke qenë figura publike. Por kemi raste, kur vijimi i traditës nuk vjen nga të qënurit figurë publike, por nga faktorë të tjerë, kryesisht të personalizuar.

Duke iu referuar parlamentit aktual, kemi shtatë raste të deputetëve që kanë pasur babanë deputet; dy në periudhën komuniste, katër post ‘90 janë zgjedhur pas ndarjes nga jeta të tyre dhe një në kushte normaliteti. Nëse i referohemi rretheve familjare më të gjera sesa prindërit numri i deputetëve/rasteve shkon në 25, nga të cilët 10 janë në parlamentin aktual (dhe të ri). Nëse i referohemi edhe rasteve kur babai ka kandiduar, por nuk ka arritur të zgjidhet deputet, kemi edhe të paktën 4 raste të tjera aktuale në parlament, përfshirë kandidimin e pasuksesshëm në dy zgjedhje të botuesit të gazetës “55”. Aktualisht në strukturat e forumeve rinore të PS dhe të PD mund të citohen mbi 25 raste të fëmijëve në organizatën rinore që ndjekin karrierat politike të prindërve në parti, pra që përgatiten për të vijuar përfaqësimin politik edhe familjar. Disa prej tyre kanë marrë poste drejtuese edhe në parti.

Mesazhi? A kemi të bëjmë me modele pozitive politike që fëmijët duan t’i ndjekin? Apo kemi të bëjmë me lidhje të forta familjare në politikë, nje sistem klientele që vijon nga brezi në brez? Referuar tabelës së vitit 2017, me ndonje perjashtim, shumica e rasteve kanë të bëjnë me argumentin e dytë, – me sistemin e dhuratës, njohjes dhe promovimit familjar me liderin vendimmarrës. Ka raste kur karriera dhe meritat e “të birit” kanë tejkaluar atë “të atit”, kur prindi ka pasur dhe ka lene emer te mire ne memorien publike, apo kur promovimi i tyre pranohet në shoqëri si meritë kryesisht individuale. Ka edhe raste kur modeli referues nuk ka qenë pozitiv apo kur refuzohet të njihet ekzistenca e tij, siç ka raste që lidhen me trashëgimi politike brenda të njëjtës parti.

Të gjitha këto elementë, veç e veç ose së bashku, në kontekstin e një elite politike të emëruar siç është elita politike në Shqipëri, mund të krijojnë shqetësim, fiktivitet, legjitimitet të cunguar, pabarazi në konkurrim dhe shërbejnë si tregues tjetër i sistemit të deformuar të përfaqësimit dhe karrierës politike në Shqipëri.