Kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet,  Shpëtim Idrizi i ka kërkuar Prokurorisë të zbulojë portalet, gazetarët dhe OJF-të që kanë përfituar miliona euro ndër vite nga Greqia.

Në një deklaratë për mediat, Idrizi i bëri thirrje edhe presidentit të Republikës, Ilir Metë që të mbledhë me urgjencë Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Idrizi deklaroi se roli i Greqisë përmes financimit të portaleve dhe gazetarëve në Shqipëri ka pasur për qëllim të shuajë çështjen Çame dhe manipuluar marrëveshjen e Detit. 

"Sot Athina i ka duart plot në politikën shqiptare. Kur kemi folur për idiotët e dobishëm të Athinës e kishim fjalën për ata që janë bërë vasalë të Athinës. Sa herë Athina ka ndërhyrë në çështjet e brendshmet të politikës shqiptare dhe asnjëherë këta nuk kanë reaguar. Greqia ka financuar portale dhe gazetarë për të zhdukur çështjen Çame dhe manipuluar marrëveshjen e Detit mes dy vendeve.

Na thonë se është humane të ndërtohen varrezat e ushtarëve grekë në Shqipëri. Po për një varrezë për mijëra shqiptarët e Çamërisë nuk është humane? Kur ne denonconim në Parlament çdo aktivitet antikushtetues të vorioepirit në mes të Shqipërisë, asnjë nuk flet dhe asnjë nuk vepron. Sot një pjesë e politikës hesht, një pjeës e medias hesht sepse janë të bvlerë. I kërkojmë president të mbledhë urgjentisht Këshillin e Sigurisë Kombëtare, të vendosë në lëvizje agjencitë ligjzbatuese dhe të ndëshkohen ata që kanë marrë para, vetëm në një muaj kanë marrë mbi 1 milionë euro. Prokuroria të hetojë cilat janë portalet, gaztat, gazetarët, OJQ-të që janë financuar nga ministria e jashtme dhe e mbrojtjes greke. 

Çfarë po bën Prokuroria shqiptare, kur pala greke ka nisur hetimet për këtë çështje. Çfarë bën Kryeministri i cili hesht për këtë çështje. Ftojmë ministrin Bushati të vazhdojë të përshëndesë bashkëpunimin e turpshëm me homologun Kotzias, për përdorimin e fondeve të zeza në Shqipëri."