Ish-ministri i Brendshëm, Flamur Noka është shprehur se Saimir Tahiri ka përgjuar politikanët  dhe një pjesë të Ambasadave të huaja në Tiranë. Gjatë një emisioni televiziv, Noka tha se përmes këtyre përgjimeve Tahiri mbon veten nga akuzat, duke vënë nënkontroll “shefin e madh” duke lënë të nënkuptohet kryeministri Edi Rama. Në lidhje me dënimin e Tahirit, Noka tha se Partia Demokratike nuk kishte pritshmëri për drejtësi, pasi sipas tij, kryeprokurorja Arta Marku e shkatërroi procesin e hetimeve.

“Pritshmëritë tona i kemi publike që ditën që është emëruar kryeprokurore PPP-ja me emrin Arta Marku. Që ditën që Prokuroria e Krimeve të Rënda u shkatërrua me një të rënë të lapsit dhe hetimi i sapo i nisur nga ish-ministrit Tahiri u ndërpre. Që në atë kohë ne kemi bërë me dije se e gjitha kjo ishte një skenar i Edi Ramës për të shkatërruar hetimin ndaj Saimir Tahirit, pasi siç u vërtetua dje, Edi Rama është peng i Saimir Tahirit, ndërsa drejtësia është peng te Edi Rama. Nuk kemi patur ndonjë pritshmëri në lidhje me vendimin. Por vendimi ishte shok për opinionin publik sepse tregoi që drejtësia e re e Edi Ramës është drejtësi e vdekur”, tha Noka.

Sipas ish-deputetit demokrat, dënimi ndaj Tahirit; “Demaskoi publikisht se drejtësia e re me të cilën Rama ka ushqyer shqiptarët për kaq shumë kohë është drejtësi e vdekur.”

Noka shprehet se Tahiti i ka bërë përgjimet përmes pajisjes Imsi Catcher dhe më pas ka zhantazhuar Ramën.

“Pajisja Imsi Catcher, fakti që u fut në mënyrë të fshehtë dhe që ka lëvizur në të gjitha institucionet ku ka opozitë, përfshirë edhe ambasadat e rëndësishme, do të thotë që ajo lëviz vetëm për të përgjuar dhe ka një rreze përgjimi. Nuk ka patur nevojë të shtantazhojë ambasadat e huaja sepse ai ka shantazhuar dhe ka në xhep kryeministrin e vendit”, tha Flamur Noka.