Një pjesë e madhe e mediave shqiptare po tallen me veten dhe ndjekësit e tyre duke trajtuar seriozisht një fabul banale që duhet të zinte vend në rubrikat humoristike.

Fjala është për sherrnajën banale midis disa deputetëve sharlatanë që i shiten publikut si përfaqëues të opozitës. Një numër i madh burrash të prirë nga Korab Lita, Albert Zeneli dhe Halit Valteri, u mblodhën në 10 tetor për ti vënë stërkëmbësh një gruaje sa të brishtë aq edhe naïve, Rudina Hajdarit.

Me një gjuhë çapraz, me argumenta haluçuinantë ata thanë se Rudina i kishte turpëruar me gafat skandaloze që ka bërë në kuvend, se u kishte vjedhur shumë rrugë jashtë shtetit, duke i shërbyer qeverisë krahas Gramoz Ruçidh dhe Taulant Ballës dhe vendosën ta shkarkonin.

Znj Hajdari, me një shqipe të çalë dhe krejt e shokuar  nga ai zell i papritur meshkujsh veriorë ndaj një krijese të hajthme, i hodhi poshtë vërejtjet.

Por, burrat deputetë morën vendimin se ajo e “pranoi dorëeqjen” dhe vijuan të votonin për ti zënë vendin.

E në këtë pikë komedia degjeneoi në estradë.

Kandidat i parë u shpall Korab Lita, cili sfidën më të madhe intelektuale në jetë e ka pasur të shërbejë si zëvendës i Xhelal Mziut në Bashkinë e Kamzës.

Kandidatë alternativë ishin Alban Zeneli që u tërhoq menjëherë dhe Halit Valteri që kërkoi kohë për të përgatitur garën. Por, kur e pa se nuk fitonte “garën” e cila nxori kryetar Korab Litën (foto poshte duke shpallur largimin e hajdarit), edhe Valteri u tërhoq dhe ashtu sikurse ia futi PD-së që e bëri deputet, u soll edhe me kolegët e rinj: Ai tha se ishte përkrah me Rudina Hajdarin dhe se shkarkimi i saj nuk kishte ndodhur kurrë.

Në mënyrë akoma më qesharake u soll edhe një grua që deri më sot askush nuk e dinte se paguhej si deputete: Fatjona Dhimitri (djathtas art). Ajo fillimisht firmosi për shkarkimin e Rudina Hajdarit, doli edhe në konferencë shtypi, përkrah Korabit të lartë sa një mal, për të konfirmuar atë kryetar të opozitës së re dhe më pas i shkruajti letër Gramoz Ruçit ku tërhiqej nga firma që kishte hedhur me dorën e saj, me pretendimin se ishte kërcënuar.

Nga gjithë kjo estradë gjigande deri më tani kemi dy pretendentë:

Rudina Hajdarin që nuk pranon se i ka bërë gazin e botës deputetët e opozitës së re dhe këmbëngul të vazhdojë të qëndrojë në krye të grupit dhe nga ana tjetër, Korab Litën, që Rama e ofendon sa herë hyn në sallë duke i thënë “me ty nuk replikoj se nuk të njoh”, e që do ta lajë këtë turp duke i zënë vendin Rudinës.

Po, po, kaq banale është ajo që po ndodh më përfaqësuesit e opozitës së re në kuvend.

Dhe këtë shumica e mediave të mëdha e përcjellin si një betejë normale politike. Ndoshta vërtet kujtojnë se këta janë deputetë heronj me të cilët ambasdori Borchardt u zotua të bëjë reformën zgjedhore dhe ambasada USA i paraqiti si opozitën reale të vendit. Këta janë ata që po ‘luftojnë” për ndryshimin e sistemit, ndërsa deri sa kjo të ndodhë, po përpiqen ti vjedhin si plaçkë deputetët njëri- tjetrit. /lapsi.al