Partia Demokratike ka reaguar pas deklaratës së Damian Gjiknurit se është i gatshëm të largohet nga pozicioni i bashkëkryetarit të Komisionit për Reformën Zgjedhore.

Në një deklaratë për mediat, Sekretari i PD-së, Gazment Bardhi tha se Damian Gjiknuri duhet të ndiqet penalisht dhe të shkojë në burg.

"Damian Gjiknuri dhe të gjithë ata që kanë bashkëpunuar me krimin e organizuar për të shkatërruar zgjedhje dhe për të vjedhur votat nuk duhet të jenë mes zgjedhjes për të dhënë dorëheqjen apo jo nga Komisionit, por duhet të ndiqen penalisht dhe të shkojnë në burg për kryerjen e krimeve zgjedhore. Kjo nuk është kërkesë e opozitës, por është standard evropian, është një nga kushtet e BE për hapjen e negociatave. Të gjitha ata përfshirë Gjiknurin dhe pjesën tjetër të anëtarëve të komisionit që janë pjesë të dosjeve 184 apo 339 nuk duhet të jenë në komisionin për reformën zgjedhore por duhet të jenë në burg dhe të proceduar penalisht për të gjitha krimet zgjedhore që kanë kryer."