Sekretari i Përgjithshëm i PD Gazment Bardhi gjatë një takimi me strukturat e partisë në qytetin e Durrësit, ka bërë thirrje që SPAK të hetojë dosjet 184 dhe 339/1 për blerjen e votave.

Sipas Bardhit, ndëshkimi i atyre që kanë vjedhur votat është 1 nga 9 kushtet e Bundestagut për nisjen e negociatave.

“Degët e Durrësit, Krujës dhe Shijakut, si askush tjetër, kanë qenë këto 6 vjet nën presionin e tmerrshëm të krimit të organizuar me mbështetje shtetërore.

Demokratët janë përballur me bandat më të rrezikshme që, në bashkëpunim me Edi Ramën, Vangjush Dakon, Artur Bushin, Ilir Ndraxhi, Rrahman Rrahja, Elton Arbana, i kërcënonin me bukën e gojës, me heqjen nga puna, me prishjen e biznesit, me sigurinë e familjes.

Dosja 339 na tregoi egërsinë me të cilën pushteti dhe bandat blejnë votat për Edi Ramën. Është detyrë e SPAK-ut të hetojë pa vonesë dosjet e blerjes së votave, 339/1 dhe 184. Ndëshkimi i atyre që kanë vjedhur votat është 1 nga 9 kushtet e Bundestagut për nisjen e negociatave.

I garantova demokratët dhe qytetarët e Durrësit, Krujës dhe Shijakut se sakrifica e tyre nuk ka për të shkuar dëm. Ne jemi bashkë për të punuar derisa të sigurojmë zgjedhje të lira e të ndershme, që votat e shqiptarëve të mos preken nga Edi Rama, Vangjush Dako, Artur Bushi dhe banditët e tyre” ka thënë Gazment Bardhi gjatë takimit me strukturat në Durrës.