Një ditë pas dekretimit të kryeministrit Edi Rama edhe në krye të MEPJ-së nga Presidenti Ilir Meta, sot shefi i qeverisë i delegoi kompetencat zv.ministrit, Gent Cakajt, i cili u refuzua nga kreu i shtetit për të marrë drejtimin e Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme.

Por kjo lëvizje ka shkaktuar reagime të forta brenda dhe jashtë vendit. Një reagim i ashpër ka ardhur nga Kosova dhe konkretisht nga partia Lëvizja Vetëvendosja, e cila përmes Arbër Zaimit është shprehur se Baton Haxhiu po përcakton politikën e jashtëm  të Shqipërisë me këmbënguljen e Ramës.

POSTIMI I PLOTË

Simpatizantët e Partisë Socialiste duhet të mos jenë të verbër. Le të lexojnë në internet shkrimet e Batonit kundër Ramës dhe kundër PS, para vitit 2013. Baton Haxhiu është mik i të gjithëve, dhe siç tregon vetë ka patur miqësi edhe me Berishën edhe me Metën, por siç dallohet qartësisht, ai është mik më i ngushtë me pushtetin, cilido që e mban atë pushtet.

Tash e ka Rama pushtetin, ndaj Baton Haxhiu është bërë konfidanti më i madh i Ramës, shkon në takimet e nivelit të lartë bashkë me Ramën, i sugjeron dhe i përcakton këshilltarë, ministra e zv.ministra, dhe sigurisht e ndikon për qëndrime politike. Përse Baton Haxhiu kështu? Përse kaq lart dhe me ndikim? Se është i mençur? Se është i pasur? Se ka një media? Jo, ka dhe më të pasur, dhe më të mençur, dhe pronarë mediash e gazetarë me më shumë ndikim.

Baton Haxhiu nuk ka hezituar ta shajë Erion Braçen kur ky i fundit ka kërkuar të merren masa ndaj miellit të dëmshëm që oligarkët e korporatës Devolli e sillnin prej Serbisë në Shqipëri.

E pikërisht ky Baton, që ka pranuar vetë lidhjet e tij me shefin e inteligjencës serbe gjatë luftës, Jovica Stanisiç-in, si dhe me drejtuesin e UDB-së për Kosovën, Zoran Stijoviç-it (i cili e përmend shërbimin e Batonit në librin e vet), ky Baton që gjatë luftës e shpalli veten të vrarë për të shpëtuar, ky Baton të cilit Veton Surroi i ka kushtuar librin ‘Përcaktimi i dashurisë së Marie Gjonit’, për të ekspozuar tre breza spiunësh në familjen e Batonit, ky Baton që kundërshtonte Ramën kur Berisha ishte në pushtet, dhe kundërshtonte Braçen kur ky kritikonte importin e miellit helmues nga Serbia, pra ky Baton i qartë e krejtësisht i lexueshëm, sot e përcakton politikën e jashtme të Shqipërisë me ndihmën këmbëngulëse të Ramës.

Edhe kur? Sot kur kufijtë në Ballkan janë më të paqëndrueshëm se kurrë.