Përgjigjja absurde e kryetarit të ri të Akademisë së Shkencave, ndaj gazetares Enkelejda Mema, ka sjellë reagime të shumta nga politika.

Kryetarja e grupit parlamentar demokrat, Rudina Hajdari e ka dënuar ashpër qëndrimin e Gjinushit, që sipas saj ushtroi dhunë verbale dhe seksist ndaj gazetares. Duke u ndalur te procesi i votimit dhe zgjedhja e tij si kryetar i Akademisë së Shkencave në një garë pa konkurrentë, Hajdari thekson se është kryekëput antiligjor zgjedhja e tij.

Duke e quajtur puç institucional, Hajdari nuk i ka kursyer as akuzat për kryeministrin Edi Rama, sipas së cilës, është ai që e ka dirigjuar këtë dështim edhe në shkencë.

"Kryetari uzurpues i Akademisë se Shkencave i nisi minutat e para të karrierës së tij me dhunimin verbal seksist të një gazetareje të re.

I paligjshëm nga takat e këpucëve deri te flokët ai uzurpoi A.SH. si kryetar partie politike nëpërmjet një truku me K.M, duke i falur atij partinë per zgjedhjet e 30 Qershorit dhe Rama i fali akademinë e paralizuar me anëtarë me statuse joligjore, si çerdhe e shkaterrimit të historisë dhe albanologjisë, per të mos përmendur shkencat inekzistente të sakta.

Sikurse nuk ka bërë kurrë zgjedhje brenda partisë së tij shekullore pseudo-socialdemokrate, ashtu uzurpoi A.SH, me puç institucional prej një kapterri që hiqet si gjeneral në pension i shkencës. Prej tridhjet vjetësh asnjë libër, artikull shkencor, apo botim serioz, asnjë arritje në matematiken e aplikuar.

Dështim në shkencë, dështim në politikë si një rast partikular në të cilin “gjenerali i ekuacioneve” dëshironte të aplikonte matematikën në politikë, ku prej tre dekadash nuk mori kurrë më shumë se një mikrobus me votues. Duke mbetur profan në faktin se asnjëherë nuk mësoi se ku pritet shkenca me politikën ai preu kokat të gjithë miqve të tij në parti që ikën nga sytë këmbët.

Vjen në akademinë e shkencave dhe qysh në fjalimin e parë poshtëron asamblenë duke e quajtur konsultative. Mbledh nëntedhjetevjeçarë që dramën e jetës së tyre kane pasur faktin që i kanë bëre hosana vrasësit të babait te tyre, një pjesë me ishemira, një pjese të korruptuar me pagesa të paligjshme, me mbeshtetje nga akademikë ish-spiunë të sigurimit, sekretarucë diktatorësh, të dyshuar nga kolegët për plagjiatura, të tjerë që nuk dihet ku punojnë nëpër botë etj. Më vjen keq për një pjesë të akademikëve të vërtetë që nuk patën forcën dhe moralin e duhur t’i kundërvihen uzurpuesit anakronik.

Bëri reformën farse, për të sunduar mbi një institucion, ku veç truri nuk ka më efikasitet, pa marrë në konsideratë që në perëndim gjënden me dhjetëra shkencëtarë të rinj shqiptarë të vlerësuar maksimalisht nga shkenca botërore moderne.

Padyshim që Kuvendit do t’i paraqes që t'i presë sa më parë buxhetet kësaj karakatine, mbi samarin e të cilës ka hypur “gjenerali” në pension. Përndryshe, do të ndodhi ajo që nuk ka ndodhur në qindra vjet akademi, ku politikani i paudhë do të drejtojë shkencën dhe të paligjshmit dhe të paditurit, do të drejtojnë institucionin", shkruan Hajdari.