Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, ka folur në Konferencën e Nivelit të Lartë në Strasburg ku marrin pjesë 47 homologët e saj nga vendet e Këshillit të Evropës.

Në ministerialin e organizuar nën kujdesin e homologes franceze Nicole Belloubet, Gjonaj u ndal te vendimi i Bashkimit Europian lidhur me çeljen e negociatave, duke vendosur theksin te roli që ka pasur Ministria e Drejtësisë në këtë proces.

Gjonaj u shpreh se “Ftesa ndaj Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në tryezën e negociatave, do të rrisë presionin për reformat e mëtejshme për marrjen e masave për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin dhe për të rritur përgjegjshmërinë për zbatimin e reformës së drejtësisë”, tha Gjonaj duke shtuar se:

“Zbatimi i reformës në drejtësi është në një fazë të rëndësishme dhe jam tepër e kënaqur që Bashkimi Evropian na ka ndihmuar dhe do të na shoqërojë edhe në projektimin dhe përgatitjen e qendrës së re unike teknologjike të drejtësisë”, nënvizoi Gjonaj.

Ajo u ndal edhe te puna që është bërë për forcimin e shtetit të së drejtës:

“Thelbi i shoqërive të drejta dhe gjithëpërfshirëse është një sistem drejtësie i pavarur dhe i efektshëm. Një sistem drejtësie i ndikuar nga pushteti, qoftë ekonomik ose politik, manipulon të drejtat dhe aksesin e qytetarëve në një proces të drejtë ligjor. Duke synuar rivendosjen e funksionimit të duhur të shtetit ligjor, pavarësinë e sistemit gjyqësor, si dhe për rivendosjen e besimit publik në këto institucione, Shqipëria vuri në funksionim një sistem kalimtar vetingu për të gjithë gjykatësit dhe prokurorët në sistem”, theksoi Gjonaj.

Ministrat gjithashtu diskutuan qasjen e ligjit dhe drejtësisë në epokën digjitale, si dhe ndikimin e teknologjisë në drejtësinë penale. Gjonaj e konsideroi teknologjinë si një “aleat” për të luftuar problemet që dobësojnë sistemin.

“Si pjesë e paketës sonë të reformës në drejtësi, kemi parashikuar krijimin e një qendre teknologjie informacioni për gjyqësorin që do të modernizojë sistemin e drejtësisë nëpërmjet aplikimit të teknologjive të reja dhe duke gjeneruar efektshmëri në funksionimin e gjyqësorit dhe administrimin e gjykatave dhe prokurorive. Ne besojmë fuqimisht se teknologjia është aleati ynë më i mirë, i cili lufton problemet që kanë dobësuar sistemin tonë të drejtësisë dhe kanë gërryer besimin e publikut në të. Përmes teknologjisë mund të jemi të suksesshëm në ofrimin e shërbimeve të ndershme dhe të aksesueshme të drejtësisë. Qeveria e Shqipërisë e konsideron këtë proces si një udhëtim të përshtatjeve të vlerave dhe një mundësi për të ndërmarrë reforma vendimtare që do të ndihmojnë përfundimisht në sigurimin e shërbimeve cilësore të drejtësisë dhe ta bëjnë Shqipërinë pjesë të familjes së përbashkët evropiane”, tha Gjonaj.