Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, ka deklaruar se rreth 130 punonjës të policisë së burgjeve janë konstatuar me rekorde penale, 70 punonjës në papajtueshmëri me arsimin në vendin e punës.

Ndërkaq në kuadër të forcimit të masave dhe kontrolleve në burgje në 6 muaj, 65 punonjës janë proceduar penalisht dhe 40 punonjës janë propozuar për masa administrative.

Gjonaj tha se reforma në sistemin e burgjeve do të nisi më verifikimin e pastërtisë ligjore dhe morale të punonjësve.

"Objektivi kryesor i reformës në sistemin e burgjeve do të jetë rrënjësore dhe e vazhdueshme deri në pastrimin e të gjitha rrënjëve të korrupsionit që janë shtrirë ndër vite e vite, si dhe të pastërtia dhe integriteti moral i punonjësve në burgje, si rruga e vetme për forcimin e sigurisë në burgje dhe një shërbim sa më profesional në institucionet e vuajtjes së dënimit."

Në kuadër të reformës në burgje, ministrja e Drejtësisë shprehet se “verifikimi i pastërtisë morale të punonjësve të sistemit të burgjeve, është hapi i parë për pastrimin e plotë të radhëve të punonjësve të burgjeve nga elementët e inkriminuar”.

Gjonaj deklaron se do largohen nga sistemi i burgjeve punonjësit e policisë me rekorde penale, të cilët nuk mund të ishin pranuar në sistemin e burgjeve.

Po ashtu të gjithë ata punonjës që janë në papajtueshmëri të arsimit me vendin e punës do largohen ose do përshtaten me arsimin në vendin e punës.

Në kuadër të reformimit të sistemit të burgjeve, Gjonaj vlerëson rëndësinë e sistemin e ri të rekrutimit, me qëllim pasjen e një trupe jo të emëruar politikisht dhe sa më profesionale.

“Për këtë qëllim në bashkëpunim me Akademinë e Sigurisë do të organizohen testime profesionale për rekrutimin dhe më pas kandidatët e përzgjedhur do t’i nënshtrohen një kursi trajnimi, lidhur me detyrat funksionale të punës në burgje”, ka pohuar ajo.

“Asnjë tolerim në procesin e verifikimit të pastërtisë morale të punonjësve. Të gjithë ata që nuk plotësojnë kriteret do të largohen!”, theksoi ministrja Gjonaj.