Pas akuzave në drejtim të ish-Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, opozita ka artikuluar edhe emrin e kryebashkiakut të Durrësit si një prej zyrtarëve të lidhur me krimin.

Gjatë një prononcimi për mediet, pas largimit të opozitës nga Komisioni i Sigurisë, ku po diskutohej buxheti i Shërbimit Informativ Shtetëror, deputeti Flamur Noka ka akuzuar Dakon si të lidhur me krimin.

Noka deklaroi se opozita ka mbështetjen e ndërkombëtarëve për protestat që pritet të realizojë.

“E vërteta doli në pah se nuk kishin patentën për të drejtuar vendin, por kjo qeveri dhe timonieri kishin patentë për të drejtuar skafet, trafikun dhe krimin e organizuar. Është koha ta rrëzojmë dhe kjo qeveri i ka ditët e numëruar. Gjushi është një ushtar i vogël i kësaj perandorie me lidhje të mëdhaja në krim. Perëndoria do të rrëzohet në mënyrën më demokratike të mundshme, me protesta popullore. Në këtë aksion kemi mbështetjen e faktorit ndërkombëtar dhe kjo është e rëndësishme”.

Deklarata e Nokës erdhi pas lajmit që qarkulloi sot në media, se kryebashkiakut Dako i ishte anulluar viza amerikane, por pa u dhënë arsyet e këtij refuzimi.