Pasi Gjykata e Krimeve të Rënda caktoi masën e sigurisë "ndalim i daljes jashtë shtetit" për ish-ministrin Saimir Tahiri, avokati Maks Haxhiaj në një dalje për mediat, e ka cilësuar këtë vendimin si "kofini pas të vjelave".

Sipas Haxhiaj-t, vendimi për t'i bllokuar pasaportën klientit të tij është i padrejtë, pasi deri më tani nuk ka asnjë provë që e implikon.

"Sot në zyrë gjeta vendimin e Gjykatës që e ka marrë në Dhomën e Këshillimit, ndalimin e klientit tim për të dalë jashtë shtetit dhe bllokimin e pasaportës. Nuk ka asnjë fakt të ri që Gjykata të iniciojë apo të marrë masa për këtë masë të re sigurie. Kjo është qesharakja e kërkesës dhe vendimit që mbahet si kofini pas të vjelave. Si shërben hetimit për t’i dalë çështjes deri në fund. Patjetër që Tahiri do të shkojë në seancë. Do kundërshtojmë këtë vendim që është i pabazuar në ligj. Ka një argument të vetëm që kjo masë nuk përshtatet me hetimin. Kjo masë erdhi sot dhe pasi të depozitohet, do merret pasaporta."