Ish-ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Damian Gjiknuri, me anë të reagimi në Facebook, ka sulmuar mediat që kanë bërë publik lajmin se Shqipëria ka humbur një gjyq me Francesko Becchetti-n në gjykatën e arbitrazhit.

Sipas Gjiknurit, gjykata i ka dhënë të drejtë Shqipërisë, duke fituar dhe 7 milion euro me Hydro S.R.L. për hidrocentralin në Kalivaç. Po ashtu Gjiknuri shprehet se vendim që qarkullon në media nuk ka fare lidhje me këtë proces arbitrazhi, por me çështje dhe objekt tjetër.

POSTIMI I PLOTË:

Për spekulantët e rëndomtë e përsëritës që mbushin portalet me shpifje. Ja ku është postimi i kryer prej meje në përfundim të procesit të arbitrazhit mes qeverisë shqiptare dhe Shoqërisë Hydro S.R.L. për çështjen e hidrocentralit të Kalivaçit. Vendimi i ndërmjetëm e më pas vendimi final i publikuar zyrtarisht nga gjykata dhe nga media në atë kohë, i dha fitoren Shqipërisë dhe dëmshpërblimin me rreth 7 milion Euro. Vendimi që qarkullon sëfundi në media nuk ka lidhje fare me këtë proces arbitrazhi të ndjekur nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe i fituar por ka të bëjë me një tjetër proces dhe tjetër objekt. Për fatin e tyre të keq, spekulantët u kapën sërish në shpifje!