Pas prishjes së godinës 4-katëshe sot përpara stadiumit Arena Kombëtare, Erion Veliaj reagoi duke thënë se ata që kanë ndërtuar me leje do të shpronësohen ndërsa ata që kanë ngritur kate pa leje e kanë bërë këtë në kohën kur kryetar bashkie ishte Lulzim Basha.

Në lidhje me këtë deklaratë ka reaguar menjëherë zëdhënësja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa. Ajo deklaroi se leja e ndërtimit të godinës në sheshin Italia është firmosur nga Edi Rama 17 vjet më parë, dhe godina është legalizuar 4 muaj më parë kur dihej se do të prishej.

“Lejen për ndërtimin e godinës në sheshin Italia, e ka firmosur Edi Rama 17 vjet më parë, kur drejtonte Bashkinë e Tiranës dhe Veliaj e di më mirë se kushdo këtë gjë. Vetëm 4 muaj më parë, Rama dhe Veliaj, edhe pse e dinin se godina do të prishej, e legalizuan” tha Zhupa.

Zëdhënësja e PD shton se “dy punonjës të ALUIZNIT u shkarkuan vetëm sepse nuk pranuan legalizimin.”

E gjithë kjo është bërë me qëllim që të përfitohet kompensim financiar nga shteti i subjekteve të legalizuara, sipas asaj që thotë PD.

Fakti është se ky ndërtim u legalizua 4 muaj më parë, ndërkohë që stadiumi ka më shumë kohë që ka nisur të ndërtohet dhe në planin e tij është parashikuar edhe sheshi “Italia” përpara. Pra pyetja që mbetet për përgjigje është se përse është legalizuar një godinë që dihej që do të prishej.