Deputetja Rudina Hajdari ka reaguar rreth pretendimeve se ka krijuar grup parlamentar në shkelje të rregullores se Kuvendit.

Hajdari shkruan në Facebook se "Grupi Parlamentar Demokrat" është krijuar në përputhje të plotë me Rregulloren e Kuvendit, ligjet në fuqi dhe Kushtetutën e Shqipërisë.

POSTIMI I PLOTË

"Grupi Parlamentar Demokrat" është krijuar në përputhje të plotë me Rregulloren e Kuvendit, ligjet në fuqi dhe Kushtetutën e Shqipërisë.

Sikurse unë ashtu edhe deputeti Myslim Murrizi nuk jemi larguar nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike. Partia Demokratike me vendimin për "dorëzimin në bllok të mandateve" vendosi njëkohësisht të ndërprejë përfaqësimin në Kuvend dhe të shkrijë Grupin Parlamentar të PD.

Neni 15, pika e Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë përcakton se:

"2. Për krijimin e një grupi parlamentar kërkohet një minimum prej 7 deputetësh.  Çdo deputet mund të jetë anëtar vetëm i një grupi parlamentar. Një deputet që  largohet nga grupi parlamentar, mund t’i bashkohet një grupi tjetër parlamentar  vetëm pas gjashtë muajve nga data e largimit".

Ndaj nuk jemi në kushtet e largimit nga Grupi Parlamentar i PD(dhe nuk është i vlefshëm kushti i afatit 6 mujor) por në rrethanat e gjendjes së faktit ku deputetët e Kuvendit në bazë përkatësisë partiake apo të orientimit politik në përputhje me Rregulloren vendosin për krijimin e Grupit Parlamentar.

Grupi Parlamentar Demokrat është krijuar mbi bazën e orientimit politik të djathtë me qëllim:

1. Zgjidhjen e krizës politike përmes Reformimit të sistemit zgjedhor (politik).

2. Përfaqësimin e vërtetë dhe me integritet të Demokratëve dhe oponencës qytetare në Kuvend.

3. Misionin për Integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.