Presidenti Meta ka qenë edhe njëherë i ashpër me ambasadorët për rolin e tyre në krizën kushtetuese që ka sjellë përplasjen e Presidencës me Qeverinë dhe Kuvendin. Në një intervistë për Report Tv, Presidenti tha se ambasadorët dolën jashtë statusit diplomatik, kur vunë në dyshim dekretin e Presidentit të Republikës.

“Ambasadorët të gjithë thanë përpara dhe bënë gabim shumë të gabuar, dolën jashtë statusit të tyre diplomatik. Mendoni sikur ambasadorja e Shqipërisë në Romë të vinte në diskutim dekretin e Presidentit italian, do ta kishin paketuar, ambalazhuar, sikur paketohen ato plaçkat, që sillen dhe për 24 orë do ta kishe në Rinas”.

Meta hodhi gjithashtu dyshime për kreun e KED, Ardian Dovrani se disa nga bashkëpunëtorët e tij në atë që ai quan ‘grusht shteti’ janë ndërkombëtarë.

“Ata e kërkuan gjoja Venecian, për të relativizuar përgjegjësitë penale të Dvoranit se ai, nuk është vetëm ai, ka bërë bashkëpunëtorë të shumtë. Ja dolën disa bashkëpunëtorë, por do dalin dhe të tjerë. Kam dyshime, që për fat të keq do dalin dhe bashkëpunëtorë ndërkombëtarë. Më këtë akt dhe tentativë të pastër të grushtit të shtetit”, tha Meta.