Menjëherë pas lajmit të shkarkimit të dy zyrtarëve të Bashkisë së Tiranës nga radhët e PDIU-së për shkak se morën pjesë në protestën e opozitës më 16 shkurt, vjen edhe reagimi i kësaj force politike.

I kontaktuar nga “BalkanWeb”, kryetari i PDIU-së ndan qëndrimin zyrtar të forcës që përfaqëson. Ai e quan vendim sa hakmarrës aq edhe qesharak atë të kryebashkiakut Veliaj dhe thotë se e drejta për të protestuar është e drejtë e çdo qytetari.

Idrizi nuk nguron t’i japë edhe një mesazh personal Veliajt kur thotë se është shumë shpejt të sillet si Kryeministër.

REAGIMI I PLOTË I PDIU:

Vendim hakmarrës e qesharak i Erion Velisë. E drejta për të protestuar në ditë pushimi, është e drejta e çdo qytetari që ka lindur para Lali Erit, që mendon që nënkryetaren e Bashkisë dhe një grusht të mbeturish të punësuar në bashki i ka peng…
Keqardhje për 12 mijë votat dhe 3 këshilltarët e PDIU-së që e kanë mbështetur deri më sot.
Bashkia është e qytetarëve dhe jo e partisë.
Erion Veliaj është shpejt të sillesh si Kryeministri…!

Kujtojmë se Mesiti dhe Hysa ishin ende në Bashki pas koalicionit në zgjedhjet e 2015. Por gjatë 2018-s PDIU-ja doli nga koalicioni me PS dhe iu bashkua Partisë Demokratike. Në koalicion me opozitën, vetë kreu i PDIU-së bëri thirrje që jo vetëm anëtarët, por çdo qytetar që donte t’i kërkonte llogari pushtetit duhet të protestonte. Thirrjes iu përgjigjën edhe dy zyrtarët nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Kozeta Mesiti dhe drejtori i tregjeve, Sokol Hysa.