I është bashkuar prej pak muajsh Kuvendit të Shqipërisë dhe pavarësisht zhvillimeve të politikës në muajt e fundit, nuk është penduar për vendimin e marrë. Deputetja e Durrësit, Edlira Hyseni, shprehet në një intervistë të gjatë për DurrësLajm, se njësoj si të gjithë qytetarët shqiptarë është e shqetësuar për krizën politike dhe mandatin e saj e sheh në shërbim të komunitetit durrsak.

“Unë jam më shumë një qytetare, sesa një politikane në sallën e Parlamentit”, – thotë ajo, ndërsa nënvizon se pret njësoj si të gjithë daljen nga kjo krizë e tejzgjatur politike dhe më shumë sesa nga faktori i brendshëm Hyseni shpreson se do të jenë ndërkombëtarët që do të ndërhyjnë për gjetjen e rrugëzgjidhjeve.

Ndërkohë lidhur me fjalimet e disa kolegeve të saj që janë bërë virale në rrjete sociale, Hyseni thotë se u është kushtuar vëmendje më shumë sesa duhet për një qëllim të caktuar, për të tërhequr vëmendjen nga problemet kardinale që po kalon vendi.

Ashtu si shumë qytetarë durrsakë, Hyseni prek nga afër disa nga problematikat kryesore të qytetit, që ndër vite jo vetëm nuk kanë gjetur zgjidhje, por janë thelluar edhe më shumë.

Përmbytja e rrugëve të qytetit në qendër dhe periferi, mungesa e gjelbërimit dhe parqeve të lodrave për fëmijët, trafiku i rënduar dhe mungesa e parkimeve, investimet disa herë në po të njëjtat rrugë, gjendja e amortizuar e shumë shkollave apo mungesa e ngrohjes në institucionet arsimore janë vetëm disa nga problemet bazike të qytetarëve të Durrësit që deputetja Hyseni rendit.

Sipas saj, në Durrës shpeshherë është ecur pa një plan të qartë, janë bërë gjëra që ndërtohen sot dhe prishen nesër, janë shtruar rrugë dhe më pas janë hapur sërish sepse nuk ishin shtruar tubacionet apo kabllot e internetit…

Fakti që qyteti bregdetar tashmë drejtohet nga një femër vlen për t’u përshëndetur dhe sipas Hysenit femrat i bëjnë më mirë punët sesa burrat, pasi i bëjnë me zemër. Gjithsesi, deputetja deklaron se është ende herët për të gjykuar administrimin e qytetit nga kryebashkiakja Valbona Sako dhe vetëm projektbuxheti i vitit që pritet të paraqitet para Këshillit Bashkiak në javët në vijim mund të krijojë një ide më të qartë përsa i përket shpërndarjes së fondeve.

“Bashkia e Durrësit ka pasur përherë fonde në dispozicion. Problemi ka qenë përherë se si janë menaxhuar këto fonde, si janë shpërndarë ato. Ato para që janë shpenzuar nuk kanë përmirësuar jetesën e qytetarëve”,– thotë Hyseni ndërsa nënvizon se qyteti bregdetar më shumë është shkatërruar sesa është rregulluar në 12 vitet e qeverisjes së Vangjush Dakos.

“Nëse buxheti i vitit 2020 do shkojë sërish po aty ku ka shkuar gjithë këto vite, do të jemi në vijimësi të të njëjtës traditë. Por mendoj se i duhet dhënë koha për të kuptuar, të paktën në këto muaj, sesi do të konceptohet buxheti i ri për vitin e ardhshëm. Kjo për mua do të jetë prova e parë që do të tregojë që ka një vullnet për ta bërë këtë qytet më të mirë. Unë shpresoj se një grua e bën këtë Durrës shumë më të mirë dhe shumë më shpejt”, – deklaron Hyseni. 

Tashmë kur prej disa muajsh është e përjashtuar nga partia ku aderonte më parë, LSI-ja, Hyseni nuk di të japë një përgjigje përfundimtare lidhur me angazhimin e saj të ardhshëm në politikë.

“Kjo është pyetje 1 milion dollarëshe”,- thotë ajo, ndërsa nënvizon se tani për tani nuk ka një projekt politik. Megjithëse është e angazhuar politikisht prej disa vitesh, në situatën aktuale që po kalon vendi, Hyseni thotë se nëse zgjedhjet do bëhen tani nuk do dinte kujt t’ia jepte votën.

“Unë ende shpresoj se do të vijnë të rinj, intelektualë, njerëz të thjeshtë që do të angazhohen në politikë, pasi partitë po këto që janë do vazhdojnë të jenë. Ata që kanë drejtuar deri më tani nuk e kanë bërë punën siç duhet. Jam nga ata njerëz që nuk i kushtoj shumë rëndësi krahut politik, por njerëzve që e përfaqësojnë atë krah politik”,– thotë deputetja Edlira Hyseni. 

M.B.