Me fjalën “Betohem”, Ilir Meta është edhe zyrtarisht Presidenti i ri i Republikës.
Seanca e mbledhur këtë të hënë, ashtu siç ishte parashikuar, drejtohej nga Valentina Leskaj, e cila pas betimit ftoi Presidentin e ri që të mbajë fjalimin e rastit.
“Sot kam nderin t’ju përshëndes me ndjenjën më të lartë përkushtuese dhe do të dëshmoj solemnisht vullnetin time të hekurt për të respektuar në germë dhe frymë Kushtetutën e Shqipëisë në interesat më të mira të vendit, kombit dhe qytetarëve shqiptarë”, tha Meta.
Presidenti i sapobetuar tha se kushtetutshmëria dhe respektimi i shtetit të së drejtës do të jenë referenca kryesore në ushtrimin e detyrës për pesë vitet e ardhshme. 
“Do t’i shërbej konsensusit, bashkëpunimit dhe gjithpërfshirjes dhe sidomos të avancimit të reformave që e bëjnë vendin tonë më demokratik, më të begatë dhe më shumë europian”, tha ai.
E mes këtyre reformave është edhe ajo në drejtësi, për të cilën Meta tha se në rolin e ri si President i vendit, do të kontribuojë në avancimin dhe zbatimin e plotë të saj.
“Më 28 prill kandidova si President më shumë me mendje sesa me zemër, sepse opozita nuk ishte këtu, por ju siguroj se betimi im sot këtu është me zemër dhe besoj se kandidimi im si President dha kontributin modest në zgjidhjen e krizës politike”, u shpreh ai.
Pas betimit në Kuvend, Ilir Meta iu drejtua Presidencës, ku zhvillohet ceremonia e dorëzimit të detyrës nga Presidenti Bujar Nishani tek pasaardhësi i tij.