Kreu i Grupit Parlamentar, njëherësh dhe Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, i ka bërë thirrje Presidentit të Republikës, Ilir Meta, të “zgjohet” dhe të dekretojë datën e zgjedhjeve për bashkitë, që kanë mbetur pa kryebashkiakë, pasi i kapi ligji i Dekriminalizimit.

Duke folur për media në përfundim të mbledhjes së Kryesisë së PS, Balla deklaroi se Meta vijon të jetë në mos zbatim të detyrave kushtetuese, pasi është vënë në dijeni për vakancat e krijuara nëpër bashki.

“Presidenti ka qenë dhe mbetet në mos zbatim të detyrave kushtetuese që ka. Z. President është vënë në dijeni nga institucionet përkatëse vendore, siç është Prefekti i qarkut, në qarqet përkatëse, lidhur me vakancën e krijuar. Është Presidenti që duhet të zgjohet dhe respektojë Kushtetutën”, tha Balla.

Më tej, numri dy i PS foli dhe për situatën e krijuar në Bashkinë e Shkodrës, ku që pas zgjedhjeve të 30 qershorit vijon të mbetet pa kryebashkiak, pasi Valdrin Pjetri dha dorëheqjen, se ishte subjekt i ligjit të Dekriminalizimit. Balla tha se shumë shpejt Shkodra do të ketë drejtuesin e ri .

“Kam bërë një raportim në kryesi për gjendjen e partisë në Shkodër. Shumë shpejt do të kemi edhe aty një drejtues të PS, që të përmbushë pritshmëritë e PS, por edhe të kënaqë vlerësimin e popullit të nderuar të Shkodrës”, deklaroi ai.

Po për drejtuesin e Qarkut të Shkodrës?
Pas 29 shkurtit do të kemi Asamblenë e re Kombëtare dhe Kryesinë e partisë. Me ndryshimet dhe me fillimin e një mandati të ri të partisë, ai do jetë momenti, kur do të kemi dhe një drejtues të ri politikë.