Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka ka reaguar rreth kërkesës së Partisë Socialiste për shkarkimin e Arben Malajt nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë.

Duka ironizon në një postim në Facebook se pas Presidentit, radhën për t’u shpallur armik publik e ka Arben Malaj, ndërsa thekson se argumentet e PS për shkarkimin e tij, dorëzuar tashmë në Kuvend, janë paradoksale dhe qesharake.

POSTIMI I PLOTË

Pas Presidentit, radhën për t’u shpallur armik publik e ka Arben Malaj, anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Si në rastin e Presidentit, vetë e kandiduan, vetë e votuan dhe vetë po kërkojnë ta shkarkojnë. Lind pyetja: Po me Arbenin ç’patën?

Pretendimi se Malaj ka kryer "shkelje të rënda të etikës", pasi ka nënvizuar problematikat e shumta të kësaj mazhorance, është paradoksale dhe qesharake. Sidomos kur këto akuza ngrihen nga një shumicë e përgjuar duke shkelur me këmbë lirinë e votës. Mendimi ndryshe është një virtyt dhe jo një shqetësim për një shoqëri demokratike. Duhet inkurajuar dhe jo ndëshkuar!