Gazmend Oketa hyri në politikë si një individ i plotësuar profesionalisht. Në politikë provoi se ka integritet dhe personalitet duke dhënë maksimumin e tij. Shumë shpejt u shndërrua në një politikan me mendime të drejta, thirrje për mirëkuptim, porositë e logjikshme, këshillat për përmirësim… Dhe atëherë kur mendoi se ia doli, mjedisi politik u bë edhe më i ashpër. Në politikë u futën edhe ish-të dënuar, trafikantë droge, kriminelë… Dhe Gazmend Oketa nuk mund të rrinte me ta në një sallë si “koleg” i tyre… Nuk mundi të përshtatej, ndaj ai vendosi largimin nga politika, të cilën nuk e pa asnjëherë si një “stacion” të fundit, por si një angazhim të radhës.

Gazmend Oketa thotë për “Gazeta Shqiptare” se aktualisht është aty ku ndjehet më i lirë, duke iu rikthyer profesionit të inxhinierit. Por, z.Oketa nuk i ka ndërprerë lidhjet me ish-kolegët politikanë, ndaj nuk nguron të flasë për aktualitetin politik, me vlerësimet dhe kritikat e veta për opozitën e djathtë, pjesë e së cilës ishte për vite me radhë. Sepse ai ka një moto në jetë: “Shiko gjithmonë anën e ndritshme të jetës” dhe për këtë arsye, Gazmend Oketa nuk ka pse “ankohet”… “Disa miq dashamirës insistojnë se nuk duhet të tërhiqem nga politika. Në mbrëmje kur ti mendon se mund të çlodhesh para ekranit të televizionit, politika apo më saktë, propaganda politike mbush ekranin e pothuajse çdo medie vizive. Në këtë kuptim, ti asnjëherë nuk ndodhesh larg politikës”, shprehet ish-ministri i Mbrojtjes dhe ish-sekretari i përgjithshëm i FRD-së.

Z.Oketa, prej disa kohësh ju jeni tërhequr nga jeta politike. Për cilat arsye?

Ka disa arsye dhe ndoshta e kam të pamundur t’i rendis apo t’i përmbledh brenda kësaj përgjigjeje. Megjithatë po rendis dy më kryesoret. Sistemi politik që është krijuar në Shqipëri, që pas kalimit nga sistemi zgjedhor mazhoritar, në atë proporcional mbylli dhe ato pak hapësira që sistemi parademokratik shqiptar kishte për politikanë, të cilët e perceptojnë politikën angazhim dhe jo biznes. Që të ecësh sot në politikë ke dy mundësi. Njëra është që të mos interesohesh shumë të mbrosh interesin publik, por të kërkosh ta kesh mirë me kryetarin e njërës prej dy partive kryesore. Dhe që ta kesh mirë me ta, kushti kryesor është të mos dish të thuash ‘jo’. Unë këtë nuk “di” ta bëj. Partitë shqiptare i duan njerëzit me integritet dhe personalitet kur janë në opozitë. Kur marrin pushtetin, raporti me këta individë ndryshon. Mundësia tjetër lidhet me faktin se politika sot është bërë një fushë, ku gjithnjë e më shumë po gjejnë hapësirë njerëz, të cilët kanë ndërruar dy apo tri herë emrin ose mbiemrin; njerëz të cilët janë dënuar nga gjykatat e një nga vendeve fqinje për trafik droge apo trafiqe të tjera. Edhe këtë kusht unë personalisht nuk e plotësoj dhe për më tepër, nuk kam asnjë nevojë apo arsye të rri në një sallë e të quhem “koleg” i tyre. Besoj se mjaftojnë këto dy arsye për të kuptuar se është më mirë të kthehesh atje ku t’i je vetvetja dhe jep më shumë, sesa të “varfërohesh” mendërisht e shpirtërisht me të tillë “kolegë”.

Kujt i jeni përkushtuar pas ikjes nga politika? Me çfarë po merreni aktualisht?

Në rastin tim, aty ku ndjehem më i lirë dhe marr kënaqësi nga ajo që bëj është profesioni im i inxhinierit. I jam përkushtuar profesionit tim dhe jam rikthyer në studion time të projektimit. E kam thënë shpeshherë kur jam pyetur për angazhimin tim në politikë. Unë kam hyrë në politikë, pasi kisha arritur shumë nga objektivat e mi si në profesion, ashtu edhe në familje. Politikën nuk e kam parë asnjëherë si një “stacion” timin të fundit. E kam parë si një angazhim të radhës, i cili në një moment të caktuar do t’i linte vendin krejt normalisht një angazhimi tjetër. Pas tërheqjes nga jeta politike, kam më shumë kohë për familjen dhe miqtë e mi. Dhe të kesh kohë të rrish më shumë me familjen tënde e miqtë e tu, të bësh punën të cilën e bën me pasion, është ajo që unë kam dashur gjithmonë në jetë.

Meqenëse u përmend profesioni i inxhinierit, do doja të dija opinionin tuaj lidhur me çështjen e Teatrit Kombëtar…

Përpara se të flas për çështjen e Teatrit Kombëtar, ju kujtoj se ka pasur edhe një debat jo shumë të ngjashëm lidhur me objektin, i cili njihet si Piramida, por që zyrtarisht ishte Qendra Kulturore “Pjetër Arbnori”. Nëse nuk gaboj ka qenë viti 2010-2011 kur u hap ky debat. Edhe pse propozimi i mazhorancës së asaj kohe ishte prishja e qendrës dhe ndërtimi i një godine parlamenti të ri me financim nga shteti shqiptar, jam shprehur kundër prishjes së saj, kryesisht për dy arsye. Së pari, do të ishte krejtësisht antiekonomike prishja e një objekti të tillë dhe së dyti, ai është një objekt i cili ka vlera arkitektonike dhe inxhinierike. Mund t’u referoheni deklarimeve të mia në atë periudhë për të konfirmuar çfarë thashë më lart. Në rastin e Teatrit Kombëtar, së pari do thosha që janë shumë fyese, aspak profesionale dhe tepër populiste argumentet e përdorura për shembjen e Teatrit. Tek ne vazhdon që si në kohë të komunizmit, urbanistika dhe arkitektura të trajtohen si çështje që i zgjidh politika dhe jo specialistët. Sigurisht, unë nuk e përjashtoj politikën nga ky proces, por roli i saj nuk mund të jetë përcaktues në çdo detaj. Që çështja e Teatrit Kombëtar është një çështje thjesht biznesi dhe përfitimi ekonomik është lehtësisht e kuptueshme. Si mundet të ketë vlerë historike bunkeri, i cili ndodhet për ironi 100 m nga godina e Teatrit dhe nuk ka kjo e fundit? Apo se aty janë ekspozuar pantallonat dhe rripi i “komandantit”? Si mund të kthehet në muze “Shtëpia me gjethe” dhe të thuhet se nuk ka asnjë vlerë godina ku aktorët më të shquar të historisë së teatrit shqiptar kanë punuar me gjithë pasionin e tyre. Në rastin e Teatrit Kombëtar, as shprehja “fali Zot se nuk dinë ç’bëjnë” nuk vlen. Z. Rama e di fare mirë se çfarë po bën.

A ka hatërmbetje mes jush dhe kryetarit të FRD-së, Bamir Topi?

Nuk ka asnjë arsye për një gjë të tillë dhe nuk ka asnjë hatërmbetje. Unë në politikë nuk kam hyrë për hatër të askujt dhe po ashtu kam vendosur të largohem për motive krejt personale. Vendimi im për t’u tërhequr nga politika nuk ka të bëjë me asnjë individ apo qejfmbetje, aq më pak me z.Topi.

Cili është argumenti që i dhatë z.Topi për tërheqjen nga jeta politike?

Unë nuk jam nga ata që braktis pa pritur e kujtuar si kolegët, ashtu edhe angazhimet që marr përsipër. Për të gjitha arsyet që përmenda më lart, kam biseduar si me z.Topi, ashtu edhe me kolegë të tjerë, duke i bërë me dije vendimin tim për t’u tërhequr nga politika kohë më parë se ta zyrtarizoja atë. Është mirë kur vendimet merren në kohën e duhur dhe unë besoj se i kam marrë vendimet e mia atëherë kur kam krijuar bindjen se kjo kohë kishte ardhur.

Kaq shumë ju ka "lodhur" politika?

Absolutisht jo. Unë vërtet jam munduar të jap maksimumin tim në angazhimin politik, gjë që edhe të lodh pak, por nga ana tjetër nuk mund të mohoj se ka qenë një eksperiencë pozitive e jashtëzakonshme për mua. Kam njohur shumë njerëz të rinj, nga ata më të thjeshtit pothuaj në çdo cep të Shqipërisë, siç edhe kam pasur privilegjin të takoj shumë miq e dashamirës së Shqipërisë nga vende të ndryshme të Europës apo SHBA-ve. Do t’i falënderoja edhe një herë të gjithë pa përjashtim për kënaqësinë që më ka dhënë bashkëpunimi me cilindo prej tyre. Motivi im në jetë është i njëjtë me atë të këngës “Always look on the bright side of life” (Shiko gjithmonë anën e ndritshme të jetës) dhe për këtë arsye nuk kam pse “ankohem” nga angazhimi në politikë. Ajo që më ka shqetësuar apo “lodhur” nga politika nuk ka të bëjë me mua personalisht, por ka të bëjë me shqetësimin se ku po e çon Shqipërinë dhe shqiptarët kjo lloj politike? Kjo është një pyetje, e cila besoj se “lodh” edhe shumë qytetarë të tjerë.

Si është të qëndrosh larg politikës? A ju mungon ajo?

Të qëndrosh larg politikës në Shqipëri është thuajse e pamundur. Shumë njerëz, të cilët më njohin si politikan dhe jo si inxhinier apo si një mik me të cilin njihesh që në fëmijëri e kanë të pamundur të mos më drejtojnë pyetje, të cilat kanë të bëjnë me politikën. Disa miq dashamirës insistojnë se nuk duhet të tërhiqem nga politika. Në mbrëmje kur ti mendon se mund të çlodhesh para ekranit të televizionit, politika apo më saktë propaganda politike mbush ekranin e pothuajse çdo medie vizive. Në këtë kuptim, ti asnjëherë nuk ndodhesh larg politikës. Për të ardhur tek pyetja, a më mungon ajo? Kjo lloj politike nuk më mungon. Ajo që unë mendoj se duhet të jetë politika dhe misioni i saj, ndonjëherë po, më mungon.

A vazhdoni të mbani lidhje me politikanët e së djathtës? Kush ju telefonon apo takoheni më shpesh?

Unë përpiqem gjithmonë të ruaj komunikimin korrekt dhe miqësor pothuaj me cilindo mik apo koleg. Nuk kam përse listoj emra konkretë, por në raport edhe me angazhimet personale të gjithsecilit, kam plot miq nga politika me të cilët takohem apo dëgjohem me kënaqësi e respekt reciprok.

Si e konsideroni angazhimin e kreut të PD-së, Lulzim Basha, për të zgjeruar aleancën e djathtë kundër qeverisë “Rama”?

Së pari, e konsideroj si një angazhim krejt normal të një drejtuesi të opozitës dhe besoj se çdo drejtues opozite do ta synonte një gjë të tillë. Ajo që duket se kërkohet nga ky angazhim dhe nga veprimet e opozitës është një koalicion i zgjeruar jo thjesht kundër qeverisë “Rama”, por kundër një modeli i cili rrezikon të sjellë pasoja negative për të gjithë shoqërinë shqiptare. Ky model, i cili gjykoj se duhet kundërshtuar nga cilido qytetar e aq më shumë nga opozita, ka të bëjë me faktin se sot pothuajse në çdo qytet të Shqipërisë nuk ndjehet sundimi i ligjit, por sundimi i grupeve të strukturuara me prejardhje kriminale, të cilat tashmë kanë kapur si pushtetin politik, ashtu edhe atë ekonomik. Të kundërshtosh një sistem të tillë nuk ka të bëjë me faktin nëse je i djathtë apo i majtë. Nëse e do vendin tënd, nëse ke vendosur të jetosh këtu, atëherë duhet reaguar sa nuk është vonë. Perceptimi im është se z. Basha dhe opozita po kërkojnë të përcjellin këtë mesazh tek qytetarët. Se sa po ia dalin kësaj, është një pyetje që vetëm qytetarët mund t’i japin përgjigjen e saktë, ne vetëm mund të analizojmë apo hamendësojmë.

A mund të funksionojë një koalicion me PBDNJ edhe PDIU njëherësh?

Nëse prioritet është rregullimi i sistemit politik, pastrimi i politikës nga të inkriminuarit dhe të korruptuarit, besoj se po, mund të bashkëpunohet. Nëse prioritet është se cili prej kryetarëve respektivë do të bëhet deputet në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, atëherë mendoj se ky koalicion nuk do të funksionojë.

A e dëmton të djathtën aleanca me parti klienteliste? Konkretisht, kë duhet të afrojë rreth saj PD-ja?

Kjo është relative. Në një shoqëri me norma të tjera dhe me përvojë më të gjatë demokratike, sigurisht koalicione të tilla mund të dëmtonin. Por duhet ta pranojmë realitetin siç është. Tek ne penalizohen ata që nuk janë pragmatistë apo klientelistë dhe jo e kundërta. Nga ana tjetër, modeli aktual qeverisës është kokë e këmbë klientelist. Nëse do të përkufizosh këtë fjalë në fjalorin shqip, mund të rendisësh të gjitha koncesionet e dhëna nga qeveria aktuale për të kuptuar se çdo të thotë klientelizëm i mirëfilltë. Nuk dua të them se klientelizmi lindi me këtë qeveri, por kjo qeveri e çoi atë në një shkallë të rrezikshme për ekonominë dhe perspektivën e Shqipërisë. Para 10 vitesh, Shqipëria ishte një nga vendet me moshën mesatare më të re në Europë, e dyta pas Kosovës, sot diskutojmë për plakje të popullsisë dhe rikthim të dëshirës masive për emigrim. Në gjykimin tim, tek dëshira për emigrim nuk është thjesht ekonomia, por një nga arsyet është mospajtimi me sistemin dhe humbja e shpresës. Për të ndaluar largimin e rinisë nga Shqipërisë, për t’i dhënë shpresë çdo shqiptari, mendoj se duhet reaguar. Unë flas kështu në pozitat e një qytetari që e do vendin e tij. Se cilin grupim politik duhet të afrojë PD, mendoj se kjo është një çështje të cilën PD dhe drejtuesit e saj mund ta zgjidhin vetë. Ata kanë aq eksperiencë politike dhe janë në kontakt të vazhdueshëm me të gjithë aktorët politikë në vend për të marrë vendimet e duhura.

Përveç partive politike, z. Basha ka ftuar edhe individë me kontribute në të djathtën shqiptare që t’i bashkohen opozitës. A do t’ju shohim sërish pjesë të PD-së?

Unë mendoj se çdo individ mund të jetë opozitar edhe pa qenë i angazhuar politikisht. Unë besoj se kam dëshmuar se, kur nuk jam pajtuar me qëndrime apo çështje të caktuara, kam bërë edhe opozitë në kohën kur të tjerët afroheshin për pushtet. Unë nuk mendoj se kjo është çështje individësh apo emrash të përveçëm, sado të respektuar apo me përvojë të jenë ata. Unë besoj se në politikë i rëndësishëm është komunikimi me qytetarët, rikthimi i besimit dhe optimizmit tek ata. Opozita duhet të bëjë rolin e saj me korrektesë dhe pa kompromise me pushtetin. Sa më e sinqertë dhe e vërtetë të jetë opozita në këtë pozicion, aq më shumë qytetarë do ta mbështesin. Një nga gjërat e para që duhet të bëjë opozita në gjykimin tim është rishikimi i Kodit Zgjedhor dhe kushti për administrimin jopolitik të zgjedhjeve. Nëse opozita do të kërkojë që zgjedhjet dhe votat e shqiptarëve të mos numërohen nga “specialistët” përfaqësues të partive politike, besoj se do marrë mbështetjen së paku të atyre që e shohin procesin zgjedhor si një lojë me rezultat të paracaktuar. Dhe, të bindësh e të sigurosh mbështetjen e atyre që braktisin votimin sepse nuk besojnë tek sistemi, është një fillim i mirë për çdo opozitë.

Në gjykimin tuaj, si po e drejton PD-në dhe opozitën Lulzim Basha dhe sipas jush, çfarë duhet të bëjë me tepër që të fitojë kundër qeverisë “Rama” në zgjedhjet lokale të 2019-ës?

Sigurisht që do të gaboja dhe nuk do të isha i saktë nëse do të përpiqesha t’i jepja përgjigje kësaj pyetjeje. Kjo është pyetje në radhë të parë për bashkëpunëtorët e z. Basha dhe atyre që janë në kontakt të përditshëm me përfaqësues politikë nga PD-ja. Ajo që konstatoj unë me keqardhje dhe kur them keqardhje nuk e kam për z. Basha, por për faktin se z. Rama dhe mediat e lidhura me interesa ekonomike me të kanë arritur nëpërmjet një propagande të pandërprerë, të krijojnë perceptimin se kreu i opozitës është problemi kryesor si për opozitën, ashtu dhe për zhvillimet politike në këtë vend. Një gjë e tillë, së pari deformon sistemin politik duke e kthyer atë në njëpolar. Së dyti, ajo synon të parapërgatisë opinionin publik se nëse nesër opozita do t’i humbasë zgjedhjet, kjo nuk ka ndodhur për faktin se mazhoranca do të përdorë pushtetin kriminal dhe ekonomik për të deformuar rezultatin, por se opozita nuk bën dhe nuk i fiton dot zgjedhjet. Unë nuk i them këto fjalë se kam keqardhje për z. Basha, por sepse mendoj se një propagandë e tillë e sponsorizuar kundër cilitdo drejtues opozite, në thelb cenon sistemin demokratik. Në çdo vend demokratik, problemi shihet tek qeveria dhe jo tek opozita. Në vend që të flitet për ekonominë, punësimin, arsimin, shëndetësinë, debati spostohet në mënyra artificiale te fakti se sa i mirë apo i keq është kreu i opozitës. Kjo është një lojë, e cila duhet të mbarojë. Më shumë se z. Basha, mendoj se shoqëria duhet të reagojë. Në vend që të rinjtë të zgjedhin të largohen për ta ndërtuar jetën e tyre në emigrim, ata duhet të vendosin t’i qëndrojnë përpallë cilësdo mazhorance, si asaj të sotmes, ashtu edhe asaj të nesërmes.

A duhet të hyjë opozita në zgjedhjet e ardhshme lokale?

Absolutisht që po, duhet të hyjë në çdo proces zgjedhor. Hapi i parë që duhet të ndërmarrë në gjykimin tim, përsëris është korrigjimi i Kodit Zgjedhor dhe depolitizimi i procesit. Kjo, jo vetëm që do të rikthente një pjesë të mirë të besimit të humbur të qytetarëve te procesi zgjedhor, por do të çlironte edhe administratën nga presioni politik sa herë që ka zgjedhje në Shqipëri.

Kush është Gazmend Oketa

Gazmend Oketa është diplomuar në Universitetin Politeknik të Tiranës, Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit. 1993-1995: asistent pedagog në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit. 1995-1997: njësia e menaxhimit të Projektit të Bankës Botërore për Rehabilitimin e Ujësjellësit të Durrësit, specialist supervizor. 2001 e vazhdim: aktivitet privat, Drejtues Ligjor i Firmës ‘G&A’ sh.p.k.; konsulent projektues edhe për kompani të huaja. 1990: anëtar i Lëvizjes Studentore. 1991: anëtar i grevës së urisë së studentëve. 2003: anëtar i Këshillit Bashkiak Durrës, grupimi i PD-së. 2004: nënkryetar i Degës së PD-së, Durrës. Ministër i Mbrojtjes i Shqipërisë nga 28 mars 2008 deri 2009. Ish-deputet i dorëhequr i PD-së. Themelues i partisë Fryma e Re Demokratike së bashku me Bamir Topin.