Nga Gertjana Daçi

Ish-kreu i FRESSH Durrës, Ardit Kërtusha është një nga socialistët e zhgënjyer nga mënyra sesi drejtohet Partia Socialiste në nivel lokal apo qendror.

Pakënaqësitë e tij i ka shprehur hapur që pas fushatës së një viti më parë, në garën për kreun e ri të PS Durrës, ku u dorëhoq vetëm 3 ditë para zhvillimit të procesit zgjedhor për shkak të ndërhyrjeve nga më të paimagjinueshmet, siç i cilësoi ai.

Duke analizuar situatën politike në vend, në një intervistë për “DurrësLajm”, Kërtusha shprehet se PS Durrës vazhdon të ketë mungesë të theksuar në strukturë ndërsa “paralajmëron” se kjo parti mund të ketë fatin e degës së LSI në qytetin bregdetar nëse pushteti do të vazhdojë të përqëndrohet vetëm te një person.

“Pushteti i tepërt i një personi bën shkrirjen e strukturave të partisë. Partia Socialiste Durrës vazhdon të ketë mungesë të theksuar strukturash, nuk ka forum rinor, nuk ka forum gruaje, nuk ka kapilaritet në njësi administrative, nuk ka kryesi dhe ka një asamble fiktive. PS mund të ketë të njëjtin fat si LSI në rast se individi i cili është favorizuar dhe dhënë pushteti gjatë gjithë kohës nga kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë, largohet nga kjo parti sepse nuk ka krijuar struktura.”

Sipas Kërtushës, drejtimi i partisë nga një person i vetëm dhe jo nga një vendim kolegjial i strukturave ka zhgënjyer dhe shqetësuar të gjithë socialistët.

“Pakënaqësia e tyre është familjarizimi. Ky familjarizim ka bërë që vendimet të merren të padrejta. Pra një person në Durrës merret me punësimet, me menaxhimin e bashkisë, me arsimin, me sportet. Askush nuk është kaq i gjithëditur që të marrë në dorë fatet e një qyteti të vetëm. Të gjithë socialistët janë të shqetësuar.”

Kritikat e tij, ndonëse ai i shikon në funksion dhe në të mirë të Partisë Socialiste, i kanë kushtuar jo pak Kërtushës, të cilin e larguan nga detyra që u emërua në prill të 2019-ës si drejtor rajonal i Departamentit të Kontrollit dhe Rikuperimit të Humbjeve të OSHEE-së Durrës. Sipas Kërtushës, sulmit nuk i kanë shpëtuar as mbështetësit e tij, të cilët u etiketuan si një lëvizje brenda partisë.

“Këto të vërteta u etiketuan si lëvizje por në fakt ne nuk kemi një lëvizje. Ne jemi disa socialistë të arsimuar në politikë, që shikojmë gjëra që nuk janë të drejta dhe i evidentojmë.”

I pyetur nëse do të angazhohet në fushatën elektorale të PS për zgjedhjet e 25 prillit, Kërtusha shprehet se angazhimi tij do të jetë i vazhdueshëm dhe i pandalshëm kundrejt qytetarëve durrsakë, por ndryshe nga anëtarët e tjerë të kësaj force politike, ai nuk do të shpalosë arritjet e socialistëve por do të nxjerrë në pah problematikat që ka qyteti dhe institucionet.

Duke u ndalur tek institucionet, Kërtusha shigjeton bashkinë se ka emëruar drejtorë të marrë nga dhomat e dënimit.

“Angazhimi im është permanent dhe i pandalshëm. Është angazhim përkundrejt qytetarëve durrsakë duke thënë problematikat që ka jo vetëm Partia Socialiste por i gjithë qyteti. Kritika është e lidhur ngushtësisht edhe me pushtetin vendor. Sot që flasim kemi një bashki, e cila është në pikun e saj më të keq. Bashkia e qytetit nr.2 për nga rëndësia e cila ka ndërruar tre kryetarë, që gjatë gjithë kohës së saj ndërron drejtorët. Merr drejtorë nga dhomat e dënimit dhe i emëron”, shprehet ai ndërsa thotë se duhet të bëhen zgjedhje të menjëhershme për Durrësin, për t’i dhënë zgjidhje këtij “mish-mashi” siç e quan ish-kreu i FRESSH.

“Pra kjo është detyra ime dhe ky është angazhimi im politik për qytetin e Durrësit, për qytetarët durrsakë; të themi të vërtetat dhe të jemi një zë.”

Teksa ndalet në raportin mes socialistëve të vërtetë dhe rilindasve, Kërtusha thotë se afrimi i politikanëve me oligarkët ka bërë që këta të fundit të shkrijnë strukturat partiake.

Sipas tij, oligarkët në vendin tonë kanë marrë pronat publike dhe i kanë tjetërsuar, kanë marrë disa qoka politike dhe i kanë përdorur në favor të familjes së tyre, kanë marrë fondet tona publike dhe i kanë shpërdoruar.

Por pavarësisht pakënaqësive apo problematikave që ka brenda PS-së, Kërtusha thotë se në zgjedhjet e 25 prillit, socialistët do të jenë forcë e parë politike në vend, jo për shkak të programit por sepse kanë pushtet absolut në dorë pas vendimit të opozitës për të mos marrë pjesë në zgjedhet e 30 qershorit në vitin 2019.