Ish-kryeministri i Italisë, Romano Prodi, ka vlerësuar progresin e Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Evropian, duke thënë se është mjaftueshëm i dukshëm.

Në konferencën e mbajtur sot në Tiranë me temë “Roli i ndërkombëtarëve në tranzicion”, ish-shefi i ekzekutivit italian tha se rrjedhat në vendin tonë kanë qenë të jashtëzakonshme, por edhe ndryshimet të mëdha, të cilët i kanë ndryshuar plotësisht fytyrën Shqipërisë.

Më tej, ai shtoi se përtej rrjedhës politike, ka dhe disa kushte të tjera që duhen plotësuar për integrimin, për të cilin ish-kryeministri italian shtoi se Shqipëria duhet ndihmuar.

“Progresi i këtij vendi është mjaftueshëm i dukshëm. Sfida e Shqipërisë është lufta ndaj korrupsionit. Ka pritshmëri për një panoramë të re, pavarësisht tranzicionit. Ne kemi gjetur një harmoni me njerëzit në Shqipëri. Shqipëria po ecën në rrugën e duhur për integrimin në Bashkimin Evropian.

Rrjedhat kanë qenë të jashtëzakonshme dhe  ndryshimet janë të mëdha deri në momentin që po flasim këtu. Këto ndryshime kanë ndryshuar plotësisht edhe fytyrën e Shqipërisë. Por ky proces ende nuk ka përfunduar, nuk është pra një etapë e përfunduar. Mbetet punë për t’u realizuar për integrimin, ndonëse po ecet përpara. Ka disa kritere për t’u përmbushur, përveç rrjedhës politike. Ne duhet ta ndihmojnë Shqipërinë në këtë proces”, tha Prodi.