Ish-Presidenti Bujar Nishani ka komentuar ngërçin e krijuar mes mazhorancës dhe opozitës lidhur me zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm të përkohshëm.

Ish-kreu i Shtetit thotë se kryeprokurorit Llalla i ka përfunduar mandati, ndërsa shton se Partia Socialiste duhet të respektojë Kushtetutën. Nishani komentoi edhe zvarritjen e zbatimit të reformës në drejtësi.

“Nëse mazhoranca ka vendosur të injorojë Kushtetutën duke e shkelur përmes akteve të njëanshme politike, natyrisht që ato janë të pavlefshme",- tha Nishani për "Report TV".

"Nuk besoj se do të ketë ndonjë individ që do sakrifikoj veten në raport me ligjin për të marrë në një moment të caktuar barrën e një synimi politik të një mazhorance, një partie kushdo qoftë ai”,- shpjegoi Bujar Nishani.