Një ditë pas darkës së opozitës së bashkuar në Ishëm të Durrësit, kreu i PAA-së Agron Duka, mikpritësi i kësaj darke, rrëfen për DurrësLajm diskutimet mes krerëve të partive opozitare dhe hapat konkretë që opozita pritet të ndërmarrë në javët dhe muajt në vazhdim. Takimet në të ardhmen nuk do të jenë të kushtëzuar vetëm mes kryetarëve të partive pjesë e opozitës së bashkuar, por edhe strukturave të rinisë, me qëllimin sipas Dukës “për të maksimizuar kështu çdo qelizë të opozitarizmit në vend”.

“Ndërtimi i një platforme, e cila do të përmbajë ofertën politike të opozitës për tejkalimin e krizës”,-thotë Duka është një tjetër nismë e koalicionit opozitar. 

Ndërsa kriza politike në vend duket ende larg zgjidhjes dhe palët janë në pozicione diametralisht të kundërta, Duka thekson se një zgjidhje e shpejtë, apo një sinjal për nisjen e dialogut politik do të ishte “ndëshkimi i personave të përfshirë në krim zgjedhor”.

Një ditë pasi kryeministri Rama deklaroi se zgjedhjet e ardhshme do të jenë në vitin 2021, kreu i PAA-së, Agron Duka thekson se: “Do të jetë trysnia e brendshme dhe e huaj që do të detyrojë mazhorancën të heqë dorë nga pushteti monist, me apo pa vullnetin e saj”.

I pyetur nga DurrësLajm për shumë problematika të realitetit politik në vend, Duka vazhdon t’i qëndrojë mendimit të artikuluar që nga fillim nga opozita se zgjedhje me Ramën kryeministër nuk mund të bëhen dhe “zgjedhja më e mirë është qeveria tranzitore, jo vetëm për këto zgjedhje, por për të gjitha zgjedhjet për një periudhë 15 ose 20-vjeçare”.

Mbrëmjen e së hënës u organizua një darkë informale mes kreut të PD, Lulzim Basha dhe aleatëve opozitare. Ku u përqendruan diskutimet e pjesëmarrësve dhe a ka tashmë opozita e bashkuar një datë apo hapa konkretë që do të ndërmerren në vazhdim për aksionin opozitar? 

Darka shërbeu si një moment reflektimi dhe koordinimi për vijimin e aksionit opozitar. Vendosëm që takimet periodike të mos mbahen vetëm ndërmjet kryetarëve, por edhe strukturave të opozitës, si për shembull rinia, për të maksimizuar kështu çdo qelizë të opozitarizmit në vend. Si dhe ndërtimi i një platforme, e cila do të përmbajë ofertën politike të opozitës për tejkalimin e krizës. 

A ka opozita e bashkuar një qëndrim të unifikuar për lëvizjet politike që do të ndërmerren në vazhdim apo ka qëndrime të ndryshme mes aleatëve? 

Duke qenë se opozita është e përbërë nga një numër i paprecedentë partish politike, është normale që të kemi këndvështrime të ndryshme për disa aspekte të jetës politike. Megjithatë, ajo që ka rëndësi është se prej ditës që opozita ka dalë nga Parlamenti, ka bojkotuar zgjedhjet vendore, si dhe ka ndërmarrë protesta të shumta kombëtare, i ka bërë e unifikuar duke marrë përsipër një rrezik të llogaritur, me qëllim rehabilitimin e procesit zgjedhor dhe jetës demokratike të vendit. Kjo është një meritë e madhe e grupimit tonë, për sa kohë përballë një fronti poliedrik si i joni, kemi një monolit njëngjyrësh dhe krejt të mbyllur, që ka humbur kontaktin me realitetin dhe me qytetarët. 

Në gjykimin tuaj, duke parë krizën politike që ka mbërthyer vendin prej muajsh, cila mund të jetë rruga më e shpejtë për gjetjen e një marrëveshjeve mes palëve? 

Ndëshkimi i personave të përfshirë në krim zgjedhor është pika e nisjes. Origjina e konfliktit është vjedhja e zgjedhjeve dhe kriminalizimi i politikës, zhbërja e kësaj i hap rrugë zgjidhjes. Sigurisht kjo do të ndiqet nga një debat i gjerë publik, brenda dhe jashtë opozitës, për aspektet mbi të cilat do të duhet të përqendrohet rehabilitimi i një sistemi politik që sot mund të konsiderohet ilegjitim dhe jo kushtetues.  

Kryeministri Rama mbrëmë deklaroi se zgjedhjet e ardhshme do të jenë në vitin 2021, duke prerë kështu çdo mundësi për plotësimin e kërkesës së opozitës për zgjedhje të parakohshme. Si e vlerësoni qëndrimin e kryeministrit? 

Qëndrimet e kryeministrit vijojnë të jenë ato të përhershmet, gjithmonë shumë larg marrjes së përgjegjësive për çka po ndodh nën mandatin e tij. Por kjo nuk është një lojë opinionesh, është një përballje faktesh ndaj të cilave qytetarët në një moment të dytë mbajnë një qëndrim me votën e tyre. Por duhet që t’ju japim mundësi të shprehen me votën e lirë, jo vetëm mbi çfarë mendon kryeministri për datën e zgjedhjeve, por edhe për dosjen e Dibrës dhe atë të Durrësit, të cilat na treguan që kjo mazhorancë është moralisht e rënë. Por jo vetëm kaq, sepse 30 qershori dhe kryebashkiakët që ranë në rrjetën e dekriminalizmit, tregojnë se me këtë kryeministër nuk mund të ketë zgjedhje, sepse manipuloi votimet njëpartiake dhe nuk hoqi dorë nga përfshirja e elementëve me të shkuar kriminale në një proces elektoral. Do të jetë trysnia e brendshme dhe e huaj që do të detyrojë mazhorancën të heqë dorë nga pushteti monist, me apo pa vullnetin e saj. 

Shqipëria është përpara një date të rëndësishme, 18 tetorit. Nëse vendit tonë do t’i hapen negociatat, kryeministri Rama do ta paraqesë atë si fitore të qeverisjes së tij. A rrezikon opozita që me vendimin që mori për bojkotimin e zgjedhjeve lokale të jetë jashtë çdo institucioni qëndror dhe lokal të paktën për dy vitet në vijim? 

Nëse do t’i qëndrojmë propagandës së kryeministrit, negociatat u hapën vitin e shkuar, madje u shpërndanë edhe medalje për ambasadorët. Çfarë pengon opozita?! Megjithatë, të jeni të bindur se përballë këtij kryeministri, si me vendim pozitiv si me vendim negativ, për opozitën do të ketë përherë një koment kritik. Por nuk duhet harruar se një Jo në 18 tetor është një Jo e dhënë për herë të katërt, në një periudhë që Rama ka qenë kryeministër. Prandaj përgjegjësitë i merr i pari i vendit, duke filluar nga ato të mandatit të parë, kur krimi hyri në parlament dhe vendi u kanabizua. Për të vijuar me problemet e mandatit të dytë ku krimi i organizuar dhe korrupsioni vijojnë të jenë arsyet pse na është mbyllur në fytyrë dera e negociatave. Sidoqoftë, kushtet e reja të imponuara nga Bundestagu na bëjnë të mendojmë se çelja e negociatave do të kushtëzohet jo vetëm me përmbushjen e tyre, por edhe me zgjidhjen e krizës politike. Për këtë arsye, brenda muajt qershor vendi do të ketë jo vetëm zgjidhje të krizës, por edhe zgjedhje të parakohshme. Të cilat do të legjitimojnë sistemin politik dhe do t’i japin mundësinë opozitës të futet në institucione. 

Nëse faktori ndërkombëtar arrin të ulë palët në bisedime a do të ishit ju i gatshëm të futeshit në zgjedhje me Ramën kryeministër? 

Kërkesat tona për qeveri tranzitore burojnë nga eksperienca negative e vitit 2015, e zgjedhjeve të pjesshme në Kolonjë, ku PAA u përball me armatën shtetërore të Rilindjes, me zgjedhjet e Dibrës, të dosjes 184, dhe zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2017 të dosjes 339. Me këtë situatë, duke pasur parasysh që edhe në 30 qershor nuk hoqi dorë nga manipulimet, cila do të ishte arsyeja për t’u futur në zgjedhje nëse nuk ka ndëshkim të këtyre krimeve. Në fund të fundit, kemi të bëjmë me një kryeministër që nuk u distancua kurrë politikisht nga ata që u kapën në përgjime. Prandaj zgjedhja më e mirë është qeveria tranzitore, jo vetëm për këto zgjedhje, por për të gjitha zgjedhjet për një periudhë 15 ose 20-vjeçare, derisa të krijohet kultura e votës dhe e pranimit të rezultatit të zgjedhjeve realisht të lira dhe të ndershme. Nëse kjo nuk ndodh, nëse bëjmë një marrëveshje dhe amnistojmë këto krime, pas dy vitesh kriza do të trokasë përsëri në dyert tona.  

M.B.