Islami: Rama qeveri klienteliste, ministrat e LSI, kombinim mes të resë dhe eksperiencës

12/09/2013 - 19:53

TIRANE,12 shtator 2013 - Deputeti i PD-së Kastriot Islami akuzon kryeministrin Rama se ka lënë jashtë qeverisë personalitete me eksperiencë në PS, për ti hapur rrugën një qeverie klienteliste. I ftuar në rubrikën “Opinion” me gazetaren Nisida Tufa në “News24”, Islami vlerësoi ministrat e LSI-së, duke theksuar se kryetari Meta ka zgjedhur një ndërthurje mes të resë dhe personaliteteve me eksperiencë. 



Si u ndjetë në seancën e parë dhe në të tjerat që keni marrë pjesë? 
Isha nisur me mendimin që të paktën ky sesion parlamentar do të ishte ndryshe. Mendova se do të kishte mundësi të shkonim në një fillim normal duke parë rezultatin e zgjedhjeve dhe pranimin e humbjes. Në seancën e dytë fillon të vihet në jetë teknologjia e vjetër e mosrespektimit të rregullave të lojës dhe konfrontimit politik. Mazhoranca nuk i dha asnjë minutë kohë opozitës, duke e detyruar të vinte në parlament të nesërmen në orën 10:00. Rama kishte një qëndrim urrejtje do të thosha unë, ishte ndryshe nga ajo që u predikua. Në këtë moment, praktikisht kjo futet dhe në rregullat e parlamentit, edhe mund të braktiset salla për një moment. Nuk ka asnjë vendim bojkoti, ditën e shtunë opozita do të marrë pjesë në seancë. Është një largim nga një seancë që u mendua se nuk po trajtohej çështja e rendit të ditës, dhe kishte edhe disa elementë ofendues. 

Çfarë ju ofendoi konkretisht? 
Nuk mu duk një gjuhë etike për një debat parlamentar të shëndetshëm. Në legjislaturën e kaluar një nga arsyet e fuqishme që nuk u arrit të merrej statusin kandidat ishin marrëdhëniet relativisht të tensionuara mes mazhorancës dhe opozitës, që praktikisht kishin bllokuar vendimmarrjen, siç ishte rasti i 3 ligjeve. Kryeministri i dekretuar po bënte një retorikë që nuk kishte lidhje me rendin e ditës. 

Çfarë pretendonit, një program të zotit Rama që do ta dëgjonit deri në fund? 
Ne nuk e kishim marrë programin e PS. I gjithë grupi i PD ishte në sallë dhe deri në orën 2 nuk kishte asnjë njoftim nga ana e parlamentit. Na thanë se ishte shpërndarë në orën 4, kur ne nuk ishim. Prisnim që kryeministri me një hyrje të shkurtër të shpaloste më pas programin e tij. 

Ju e keni tashmë në dorë atë, po njiheni, ju mjafton koha? 
Koha mjafton. 48 orë janë të mjaftueshme për të studiuar atë material që quhet programi i qeverisë. Secili po përgatitet, ka një vlerësim të parë të paktën në këndvështrimin tim është një material që nuk ka as përmbajtjen as formën e një programi qeverisës. Këtë e shikoj jo thjesht nga këndvështrimi politik, sepse dihet që mazhoranca do ta vlerësojë programin dhe opozita do ta kritikojë. Por unë e shikoj si një ekspert, si një specialist. Unë kam shkruar disa programe qeveritare, e di shumë mirë se si shkruhet një program, çfarë përmban një program. 

Çfarë mungon tek ky program? 
Ky program ka formën e një hartimi. Nuk ka strukturën farë të një programi qeveritar. Programi është negativist. Ka ndryshuar struktura e qeverisë. Është bërë një qeveri e madhe dhe e copëzuar. Sepse nga 14 ministri janë bërë 19, disa ministri janë copëzuar. Eshtë një strukturë që bazohet në elementët e ndarjes klienteliste. Problem tjetër është cilësia e përbërjes së këtij kabineti. A është ky kabineti me cilësinë e duhur dhe eksperiencën për të përballuar krizën. Përjashtoj LSI-në, që ka kombinuar të renë dhe eksperiencën. Në rastrin e PS-së, përveç zotit Cani që ka pasur një eksperiencë, të gjithë të tjerët nuk kanë asnjë eksperiencë. Kemi njerëz pa eksperiencë në nivelin e lartë të menaxhimit politik dhe kemi rreth 25 veta me eksperiencë që janë lënë jashtë. Kjo është një qeveri klienteliste. 

Ju kur i prisni nëse i prisni shenjat e para të rilindjes? 
Rilindja ka rënë në datën 1 prill, kur është bërë koalicioni mes PS dhe LSI. Vetë analistet që kishin bërë thirrje për bashkimin e tyre, thanë se do të fitohen zgjedhjet por rilindje nuk ka. 

Zoti Islami, 91 vota për zotin Meta, si i patë këto vota, duhet të trembet PD nga kjo? 
Nuk është bërë një analizë. Për PD është e rëndësishme cilësia e të bërit opozitë. Do të jetë një opozitë në themel konstruktive, ballore, alternative dhe në mënyrë të veçantë do të jetë integruese. Përsa i përket integrimit, kjo është personale, do të bëhen sakrifica në kurriz të PD-së vetëm që integrimi të arrihet. 


/BalkanWeb/

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Grida Duma, do të promovojë pas dy ditësh librin e saj. 

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka qenë sot i pranishëm ceremoninë e 10 vjetorit të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvill

Rudina Hajdari hodhi poshtë lajmin se është shkarkuar nga pozicioni i kryetares së Grupit Demokrat Parlamentar.

Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka thotë se Shqipëria është në vend të dytë pas Afganistanit, për numrin e azilkërkuesve

Rudina Hajdari nuk do të jetë më kryetare e Grupit Parlamentaret Demokratëve në Parlament.

Opozita e Bashkuar përshëndet opinionin e Komisionit të Venecias që rrëzoi planin antikushtetues të Edi Ramës për të uzurpuar institucion

Presidenti Ilir Meta ka reaguar menjëherë pas publikimit të raportit zyrtar të Komisionit të Venecias, për çështjen e anulimit të dekreti

Komisioni i Venecias ka publikuar sot opinionin final për presidentin Ilir Meta, lidhur me veprimet e këtij të fundit sa i takon zhderkre