Grupi i ekspertëve dhe inxhinierë izraelitë vijojnë sot inspektimet në banesat e dëmtuara në Durrës. I pranishëm ka qenë edhe kryeministri Edi Rama, që ka parë nga afër procesin e inspektimit dhe ka folur me ekspertët dhe banorët që janë ende të traumatizuar nga tërmeti.

“Janë prishur muret por struktura shumë e qëndrueshme dhe do riparojmë dëmet në mure, muret janë si lëkura, dëmtohet por nuk krijon rrezik, në këmbë na mban skeleti jo lëkura. Ky kompleks është i rikuperueshëm, nuk ka kolona të dëmtuara, thjesht muraturë”, tha Rama teksa shihte nga afër banesat, me të cara të frikshme në mure dhe faqe të tjera muresh të rëna përtokë.

Këta janë nga Izraeli dhe janë njësha, inxhinieri thotë që pas katastrofës duhet ta puthësh shtëpinë tende se ka qëndruar dhe ju ka mbrojtur”, i tha Rama gruas së shtëpisë, që ishte ende e trembur nga gjithë sa kaloi.

Ndërkohë që specialistët shohin përmes një aparature të posaçme gjithë kolonat e banesave. “Kjo është kamera termike që tregon që kolonat janë të gjitha në rregull do hedhim përtokë vetëm muret”, tha Rama pasi foli me një nga specialistët.