Jo pak kujt i ka ngelur në mendje motoja “KÇK” e thënë nga kryeministri Edi Rama në parlament dhe e shpjeguar disa herë. Një moto madje që solli edhe nisma e reagime të shumta nga maxhoranca. “KÇK” u përkthye si “Kap Ça të Kapësh” dhe i vishej si dukuri gjyqtarëve e prokurorëve nga kryeministri. Mirëpo paska dhe një tjetër moto. “KÇL” ose “Kap Ça Lë” Rama. Shpjegimin e ka bërë ish-deputeti i PD Ervin Salianji në studion e News24.

“Prokurorët dhe gjyqtarët dhe cilido drejtues ka një moto tjetër KÇL, ‘Kap Ça Lë’ Rama. Janë në trysni, janë në presion. Emërimi në mënyrë të paligjshme i vartësit të Edi Ramës për të hetuar gjyqtarët e prokurorët. Do të kontrollohen nga një që ka qenë vartës i kryeministrit. Nëse ka dhe pushteti gjyqësor gjyqtarë e prokurorë që janë të padenjë për të qenë pjesë e sistemit, janë ata që ka vënë Edi Rama”, tha Salianji.

Duke iu kthyer sërish emërimit të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, post i cili iu besuar Artur Metanit pak ditë më parë, vëllai i deputetes së PS dhe ish-ministres Englantina Gjermeni, Salianji deklaroi se ky emërim është nul pasi është bërë në kushte flagrante të shkeljes së ligjit.

“Emërimi i Metanit është nul, është bërë në kushte flagrante të shkeljes së ligjit. Nuk mund të emërohet asnjë jurist që ka qenë drejtues politik në institucione. Do të duheshin edhe 2-3 vite të tjera për të qenë në kushte për t’u kualifikuar. Kjo tregon si përdoret KED dhe me dhunën e kartonëve emërohet një person që do jetë në shërbim të kryeministrit dhe do bëjë gjueti shtrigash. Kështu që kontrollin e gjyqësorit do e bëjë qeveria, ndërkohë që gjyqësori duhet të kontrollojë qeverinë”, u shpreh Salianji.

/BalkanWeb