Bashkia e Kamzës, një bastion historik i Partisë Demokratike e cila prej 12 vitesh drejtohej nga Xhelal Mziu, nga sot do të drejtohet nga socialistët. 

Këtë të mërkurë janë miratuar mandatet e 40 këshilltarëve të bashkisë në Kamëz, të cilët do të punojnë për këtë bashki në katër vitet e ardhshme. E pas këtij akti është betuar si kryebashkiaku i ri i Bashkisë së Kamzës, Rakip Suli.

Rakip Suli është shoqëruar nga deputeti Taulant Balla dhe Ervin Bushati, për të bërë betimin si kreu i ri i Bashkisë së Kamzës. 

Konstituimi i këshillit dhe betimi i Rakip Sulit është zhvilluar në ambientet e brendshme të shkollës “Ibrahim Rugova”. Në fjalën e tij përshëndetëse, Rakip Suli falënderoi votuesit, të cilët sipas tij, pavarësisht presioneve shkuan në kutitë e votimit.

Ndërkohë, Xhelal Mziu bëri kërkesë në Gjykatë për të qenë palë në këtë proces dhe dorëzoi pranë saj të gjitha provat që sipas avokatit të tij, Ivi Kaso, tregonin se zgjedhjet e 30 qershorit nuk ishin legjitime, por kjo kërkesë e tij nuk u pranua.