Edith Harxhi, kandidate për kryetare e PD, ka denoncuar përmes një deklarate parregullsitë që sipas saj, janë evidentuar gjatë procesit zgjedhor.

Harxhi, ndërsa i ka drejtuar një thirrje anëtarëve të PD që të shkojnë masivisht dhe të zgjedhin një prej kandidatëve për kryetar, u shpreh se ka pasur parregullsi të shumta në disa zona, në disa degë.

“Ka pasur me mijëra anëtarë të PD-së që nuk kanë qenë në lista. Një numër i konsiderueshëm i kontribuesve, madje edhe aktivë në zgjedhjet e fundit nuk kanë pasur mundësi të votojnë.

Prej tyre edhe kryetarë degësh, kryetarë në disa bashki, në Përmet janë rreth 150 votues që s’kanë patur mundësi të votojnë. Kam të dhëna edhe nga Burreli apo nga zona të tjera. Janë shumë prej atyre që s’kanë karta anëtarësie por në disa zona hyjnë”, tha Harxhi.

Sipas saj, një tjetër parregullsi është ajo se po lejohen të votojnë në Tiranë, persona që s’kanë as emrin as kartë anëtarësie.

“Po vihet re edhe një fenomen i fotografimit të votës që është shumë shqetësues. Këto janë brenda qendrave të votimit, madje në kuti të votimit shpesh herë. Ka patur probleme dhe zënka në Kavajë, Bulqizë, Durrës po ashtu.

Në këtë proces të konfrontimit mes vëzhguesve, vëzhguesit tanë nuk kanë lejuar që të votohet disa herë. Ka pasur votim nga një person me disa karta anëtarësie. Kjo ka ndodhur në Kavajë dhe në Mat. Vëzhgues tanë nuk janë lejuar. Ka qenë rasti i njësisë 5, jam takuar vetë me vëzhguesen e zotit Shehaj në këtë rast.

Kam bërë një thirrje për të gjithë ata votues që nuk kanë mundur të votojnë, që të regjistrojnë emrin e tyre. Ky është një proces që ka probleme të mëdha. Pavarësisht kësaj, unë kërkon që të gjithë antëarët të dalin dhe të votojnë masivisht”, tha Harxhi.