Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka reaguar në lidhje me situatën në pikat kufitare me Greqinë ku radha në territorin shqiptar ka shkuar me kilometra.

Lleshaj tha se në bashkëpunim me Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme po bëhen përpjekje për të kërkuar para autoriteteve greke gjetjen e mundësive për përshpejtimin e procedurave të testimit dhe reduktimin e kohës së pritjes në kufi.

“Procedurat e reja të testimit për Covid-19 në kufirin shqiptaro-grek kanë krijuar radhë të gjata bashkë me problemet e pashmangshme shoqëruese.
Policia e Shtetit është angazhuar maksimalisht për të menaxhuar situatën e vështirë të krijuar. Në bashkëpunim me Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme po bëhen përpjekje për të kërkuar para autoriteteve greke gjetjen e mundësive për përshpejtimin e procedurave të testimit dhe reduktimin e kohës së pritjes në kufi. Ministria e Brendshme u bën thirrje qytetareve që të informohen për gjendjen në Pikat e Kalimit Kufitar me Greqinë përpara se të ndërmarrin udhëtim drejt tyre, me qëllim që të shmangen sa të jetë e mundur pritjet e gjata në kushtet e temperaturave të larta”
, deklaron Lleshaj.