Ish-deputeti demokrat Enkeled Alibeaj ka reaguar pas lajmit se 17 punëtorë të një fabrike çimentoje në Krujë janë vetëkarantinuar, pasi 2 kolegë të tyre kanë rezultuar pozitiv në testin e koronavirusit.

Sipas Alibeajt, ky rast duhet të shërbejë si një shembull për qeverinë që të mbyllë sa më parë të gjitha fabrikat, fasoneritë, call center-at apo bizneset që kanë një numër të lartë punonjësish.

Ai shton se qeveria nuk duhet të vonohet më shumë për të marrë këtë vendim dhe të garantojë pagën e punonjësve.

Statusi i plotë i Enkeled Alibeajt:

Media raporton se 17 punëtorë të një fabrike çimentoje në Borizanë të Krujës janë vetëkarantinuar, pas frikës se mund të jenë infektuar me koronavirus, për shkak se dy punonjës të saj kanë rezultuar pozitivë. Ky është një tjetër shembull që ulëret për mbylljen e të gjitha fabrikave, fasonerive, call centers apo biznesve që kanë një numër të lartë punonjësish.

Kryetari i Opozitës Lulzim Basha prej javësh apelon Qeverinë që ta marrë këtë masë, në mbrojtje të jetës dhe shëndetit të rreth 70 mijë punonjëve, por Edi Rama vijon të sillet me papërgjegjshmëri. Është e njëjta papërgjegjshmëri që tregoi edhe me vonesën 1 mujore me pajisjen me mjete mbrojtëse të stafeve shëndetësore. Sot, kjo vonesë na ka kushtuar dhjetra mjekë e infermierë të infektuar.

Qeveria duhet të veprojë pa asnjë vonesë. Të mbyllë qendrat ku grumbullohen shumë punonjës, të garantojë pagesën e tyre.

Papërgjegjshmëria dhe vonesat në këtë situatë kushtojnë jetë!