Kryministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në Parlament deklaroi se zgjedhjet do të mbahen me qëllim që të marrë fund marrëzia e 4 aventurierëve, duke iu referuar Presidentit Ilir Meta, ish-kryeministrit Sali Berisha, kreut të PD-së, Lulzim Basha dhe kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi.

"Kërkojnë që Shqipëria të duket si një vend ku po bëhet nami i zi nga populli kundër narkoshtetit. Duan që në vend që Shqipëria të kapë trenin e vitit 2025 të BE, të rrijë të sfilitet e të mendojë akoma për makthin e '97. Ja pse antidekreti i Ilir Metës është një arsye shumë e fortë për t’i bërë zgjedhjet, për t’i dalë përballë këtyre 4 aventurierëve që duan ta katandisnin këtë vend si vetveten. Doni ta dini si do e katandisin Shqipërinë? Shikojini ata. Ata duan një funeral konsensual të drejtësisë. Ata janë në hall aq të madh sa ç'është e tërë aventura kundër Shqipërisë dhe duan që halli i tyre të kthehet në hallin e gjithë shqiptarëve. Kanë hedhur lumin pa u lagur, gjthnjë të pakënaqur, e janë gati të thonë aman varja të ardhmes, po na lini rehat të tashmen, merruni vesh si të doni, po veshët mos na i çani me se ky vend kështu e paska pas fatin. Po jo, kurrsesi jo! Asnjëherë jo, unë s’do dorëzohem as si kryeministër dhe as si qytetar me hajvanllëkun përballë së keqes që e ka ngrënë këtë vend si kancer",- tha kreu i qeverisë.