Këshilli i Emërimeve në Drejtësi i është përgjigjur Presidentit Ilir Meta, i cili kërkoi sot pezullimin e procesit për zgjedhjen e anëtarit të dytë të Gjykatës Kushtetuese, pasi sipas tij, është shkelur Kushtetuta.

KED sqaron se Këshilli vlerësoi ti përcjellë Institucionit të Presidentit të Republikës kopje të dokumentacionit të administruar dhe të shqyrtuar që përmban dosja e kandidimit të secilës prej 4 kandidateve të listuar nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, për plotësimin e vendit vakant në Gjykatën Kushtetuese.

REAGIMI I KED

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, ditën e sotme, datë 07.11.2019, zhvilloi mbledhjen e tij të radhës, ku në rendin e ditës ishte përcaktuar “Diskutim mbi qëndrimet e Presidentit të Republikës lidhur me procesin e plotësimit të vendeve vakante në Gjykatën Kushtetutese”.

Në këtë mbledhje Këshilli i Emërimeve në Drejtësi u vu në dijeni të qëndrimeve të Presidentit të Republikës të shprehura me anë të shkresës nr. 3535/2 datë 05.11.2019 , me lëndë “ Mbi zgjedhjen/emërimin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese sipas radhës që dikton Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe ligji nr. 8577/2000”, administruar nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi me nr. 713 prot, datë 06.11.2019.

Në kushtet kur i ka përfunduar procedurat e verifikimit, vlerësimit dhe renditjes së kandidatëve për katër vende vakante, dy për secilin organ emërtese, përkatësisht për Presidentin e Republikës dhe Kuvendin, duke dërguar pranë tyre edhe Listat Përfundimtare të Renditjes së Kandidatëve, Këshilli vlerësoi ti përcjellë Institucionit të Presidentit të Republikës kopje të dokumentacionit të administruar dhe të shqyrtuar që përmban dosja e kandidimit të secilës prej 4 kandidateve të listuar nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, për plotësimin e vendit vakant në Gjykatën Kushtetuese, të shpallur nga Presidenti i Republikës me Dekretin nr. 11133 datë 04.03.2019, për disponibilitetin e dërgimit të të cilave KED ka vënë në dijeni këtë organ emërtese me Raportin e Arsyetuar për Renditjen e Kandidatëve të Lejuar për plotësimin e këtij vendi vakant, përcjellë pranë institucionit të Presidentit me shkresën nr. 553 prot datë 08.10.2019.