I rreshtuar në krah të kauzës së aktorëve për mbrojtjen e godinës së Teatrit Kombëtar, Lulzim Basha ka bërë një paralajmërim të fortë.

“Nëse guxoni t’i vini minat Teatrit Kombëtar, të jeni të sigurt që minat do t’jua vëmë dhe kullave tuaja me ligj. Nuk ka shans të gëzoni frytet e një ndërmarrjeje të tillë kriminale! Çdo veprim i ‘Fusha sh.p.k.’ dhe çdo entiteti tjetër do të jetë subjekt i ligjit të amenduar ‘antimafia’. Do të nisim që ditën e parë të biznesit dhe në bazë të ligjit antimafia do ju sekuestrojmë çdo centimetër katror dhe çdo cent, qindarkë, euro për shkeljet që do të konstatojmë. Nëse kryetalebani dhe aksesorët e tij, në këtë krim, nuk tërhiqet do i përgjigjemi me luftë totale. Nëse i vini minat Teatrit Kombëtar do jua vëmë me ligj minat edhe kullave tuaja.”

Kritika pati edhe për ndërkombëtarët të cilët i ftoi të reagojnë lidhur me atë që opozita e cilëson aferë krimianale.

“E habitshme sesi nuk pati një reagim nga Këshilli i  Europës, nuk foli as OSBE në Tiranë.”

Në kushtet kur vendi sipas kreut të demokratëve po kalon një krizë të trefishtë, politike, kushtetuese dhe morale, çdo bashkëpunim me maxhorancën, qoftë ky edhe për amendimin e ligjit që i hap rrugë prurjeve në shkollën e magjistraturës është i pavlerë.

“Bashkëpunim me Ramën nuk ka.”

I pyetur për afrimin e të larguarve nga Partia Demokratike, pas takimit të së enjtes në selinë blu me dy prej kritikëve të tij, Ruli e Mustafaj, Basha tha se dora e tij është shtrirë për bashkëpunim me këdo.

Aleatët, të cilët i kërkojnë ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe lista të hapura me amendimet e reja që pritet t’i bëhen ligjit elektoral nga komisioni Ad Hoc, kreu i demokratëve i garantoi se të gjitha opsionet do jenë pjesë e diskutimeve.