Ministri i Diasporës Pandeli Majko është nën kërcënim nga regjimi i Iranit dhe nga agjentë të shërbimit sekret të këtij shteti. Ambasada iraniane ka marrë nëpunës të lartë të Inteligjencës për të vepruar kundër disidentëve.

Me këtë rrezik duket se po përballet edhe ministri Majko, i cili ka konfirmuar për rrjetin televiziv amerikan “Fox News”, se zyrtarë të SHBA i kanë thënë që të rrisë sigurinë e tij. Në prononimin e tij për Fox News, Majko tha se nuk ka frikë nga asgjë.

Një zyrtar i lartë amerikan i antiterrorizmit, i konfirmoi rrjetit televiziv se në fillim të këtij viti autoritetet shqiptare arrestuan dy shtetas iranianë për terrorizëm.

Një muaj më parë, autoritetet e BE deklaruan se ndaluan një sulm terrorist në një vend të Bashkimit Europian, të organizuar nga shërbimi sekret iranian. Arrestimet e atentatorëve të dyshuar u bënë në Vienë.

Mes të ndaluarve ishte dhe një diplomat i ambasadës së Iranit. Sulmi ishte planifikuar të kryhej në takimin e opozitës iraniane në Paris. Pjesë e këtij takimi ishte dhe Pandeli Majko dhe politikanë të tjerë të SHBA dhe BE që mbështesin ndryshimin e regjimit politik aktual në Iran.

Sipas zyrtarëve amerikanë, regjimi i Iranit ka shtuar prezencën e saj në Evropë si dhe ka rritur numrin e operacioneve terroriste kundër disidentëve. Një nga vendet e synuara është edhe Shqipëria.

Kjo për faktin se në vendin tonë janë strehuar më shumë se 2 mijë muxhahedinë, kundërshtarë të regjimit iranian. Strehimi i tyre në Shqipëri është bërë në bashkëpunim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.