Gjatë prezantimit të kandidatëve të Nismës#Thurje për zgjedhjet e 25 prillit, drejtuesi i saj Endri Shabani prezantoi ndër të tjera edhe mjeken nga Durrësi, Egriselda Allushi, e cila së bashku me Shabanin do të kërkojnë votën e qytetarëve.

“Mjekja e re fle 3-4 orë, ndoshta edhe më pak sepse është gjithë kohën duke i shërbyer njerëzve që janë të sëmurë.

Por Egriselda ka gjetur kohë të angazhohet edhe politikisht, sepse gjykon që politika nuk është thjesht një kapriço, politika në Shqipëri është për jetë a vdekje.  Egriselda vjen nga Durrësi, ku për shkak të korrupsionit politik, njerëzit vdiqën nën rrënoja.

Për shkak të korrupsionit politik dhe paaftësisë politike, mijëra njerëz kanë vdekur nga pandemia”,- tha Shabani para se t’i jepte fjalën mjekes së re.

Egriselda Allushi, e cila e prezantoi veten vetëm si mjeke e re, por pa specifikuar degën e mjekësisë që ka përfunduar, tha gjatë fjalës së saj se ajo është një ndër ata të rinj që zgjodhi të shkollohej në Shqipëri dhe ta ushtrojë po këtu profesionin e saj.

“Jam nga ata të rinj që kam zgjedhur të jetoj në vendin tim, të studioj në universitetin e Tiranës.

Unë nuk do të iki nga ky vend, unë do të kontribuoj këtu, në qytetin tim. Unë do të plakem në Durrës. Edhe nëse një ditëdo të  vi për vendimmarrje në Tiranë, prapë do të kthehem në Durrës, sepse aty e kam shpirtin, familjen time, themelin tim.

Sistemi shndetësor sot në Durrës është për të ardhur keq. Si mjeke e re unë mundohem të jap çdo ditë nga vetja, në atë spital, në atë sistem.

Vendosa të kandidoj sepse nuk dua që bashkëmoshatarët e mi të ikin jashtë shtetit dhe të punojnë jashtë.”,- tha ndër të tjera mjekja Allushi në fjalën e saj.

Fillimisht, drejtuesi i Nismës#Thurje, Endri Shabani prezantoi javë më parë mjekun urolog Artan Koni si kandidat në Durrës, por nuk dihet çfarë u bë shkak që Koni të largohej nga lista.

Shabani vendosi ta kryesojë vetë listën e kandidatëve në qarkun e Durrësit, ndërsa në vend të dytë ka pozicionuar Allushin.