Ish-deputeti Klevis Balliu i është ribashkuar protestës së banorëve te “Unaza e Re” këtë mbrëmje, pak orë pasi u lirua nga burgu. Balliu deklaroi se ndihet krenar që është pjesë e PD-së, teksa i ftoi banorët të mos ndalen dhe të mos u tremben arrestimeve të Edi Ramës.

“Në burg ne nuk na çon ligji por Edi Rama. Edi Rama kujton dhe mendon se kjo është çështje e një individi. Mendon se me dy arrestime do t’i frikësojë ata, por nuk e kupton që PD-ja nuk është çështje e dy-tre individëve, por është një ide, një vizion. S’keni pse u trembeni arrestimeve të këtij. Ne kemi të drejtën për të protestuar. Si ka mundësi që një projekt që është nën hetim, vazhdon punohet. Gjithë këto forca policie nuk duhet të merreshin me qytetarët e lirë, por me ata që kanë vjedhur 40 milion euro. Jam krenar që jam pjesë e Partisë Demokratike, iu ftoj të vazhdojmë bashkë”, deklaroi Balliu para banorëve të Astirit.

Në seancën e mbajtur paraditen e sotme, Gjykata dha masën ”detyrim paraqitje” për Balliun dhe nëntë të tjerët që protestuan tek Astiri.