Rritja e numrit të turistëve italianë në Shqipëri, ka sjellë në Tiranë rreth 60 tur operatorë dhe përfaqësues agjencish të rajonit të Puljas, pjesë e shoqatës kombëtare italiane të udhëtimit. Iniciativa synon promovimin e Shqipërisë turistike dhe mundësi më të madhe komunikimi me tur operatorë vendas.

Në takim, ministri Klosi theksoi se janë të gjitha mundësitë që të disafishohet numri i turistëve duke hapur tregun shqiptar për shumë më tepër vizitorë italianë. Italia mban vendin e katërt në renditjen e shtetasve të huaj, që hyjnë në Shqipëri për turizëm. Numri i shtetasve italianë që kanë vizituar Shqipërinë, nga Janar- Gusht 2019, vihet re një rritje prej 7. 2% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ministri Klosi theksoi se janë të gjithë mundësitë që Shqipëria të jetë një destinacion me të gjitha parametrat për turistët italianë.

Një prej tyre turizmi blu që duhet të jetë një tjetër mënyrë komunikimi midis Shqipërisë dhe Italisë . “Shqipëria do të jetë shumë më tepër aktive në ofrimin e mundësive të bregdetit të saj për turizmin e marinës”, tha ministri.

Nënkryetari i shoqatës italiane të udhëtimit, dhe presidenti i Fiave Puglia, Piero Innocenti u shpreh se numri i shtuar i turistëve italianë drejt Shqipërinë gjatë katër viteve të fundit ka nxitur iniciativën për të bashkëpunuar më shumë midis dy vendeve, ku pjesa më e madhe e këtyre turistëve kanë hyrë nëpërmjet Puglias, si “porta kryesore” për në Tiranë dhe vendet rreth saj.