*Klosi: Të zgjidhet problematika e shitësve ambulantë përgjatë bregut të detit

Ndarja e detyrave, njohja e përgjegjësive dhe evidentimi i problematikave të vitit 2018, me qëllim zgjidhjen e tyre që ky sezon i ri turistik të jetë më i pastër, cilësor dhe i sigurt ishin në fokus të mbledhjes së Task Forcës së Turizmit në Durrës.

“Do ishte shumë mirë që kjo tryezë të jetë permanente, si një hallkë e rëndësishme për të dëgjuar dhe zgjidhur problematikat që ngrenë hotelierët apo strukturat e tjera akomoduese kohë pas kohe. Është e vërtetë që këtë vit jemi shumë më të përgatitur sa i takon njohjes së detyrave që kemi, por jemi ende shumë larg implementimit. Durrësi është një nga ato pika, që duhet të bëjë shumë më shumë sa i takon shkarkimeve të ujërave të zeza, që për fat të keq në jo pak raste vazhdojnë të derdhen në det. Nga shifrat rezulton se 18 subjekte turistike i bëjnë ende shkarkimet e ujërave të ndotura në gropa septike. Bizneset janë njoftuar, por jemi përsëri vonë! Gropat septike duhen eliminuar”, tha ministri Klosi.

Sipas tij, Inspektorati i Mjedisit dhe Turizmit, por edhe autoritetet e tjera përgjegjëse, përfaqësues të Task Forcës së Turizmit dhe aktorët lokalë, duhet të shtojnë numrin e kontrolleve, për t’iu paraprirë problematikave.

“Ende sot nuk kemi një hartë të zonave, ku dhe kur do të lejohet muzika. Për këtë arsye, një nga ndryshimet në kodin penal, parashikon dënim penal për ata që shkaktojnë zhurma mbi normën e lejuar.

Bashkia po ashtu duhet të marrë masa për të eliminuar problematikën e shitësve ambulantë, që vjet ka qenë e pranishme gjatë bregdetit të Durrësit. Operatorët turistikë që kërkojnë të marrin plazhe me qira duhet të kenë një plan të qartë dhe të rregullt për mirëmenaxhimin e tij, përndryshe do ta humbasë këtë të drejtë. Tur operatorët duhet të sigurojnë vrojtues të licencuar, duhet t’iu sigurojnë pushuesve pastërti, siguri dhe cilësi në shërbime dhe qarku i Durrësit e ka këtë mundësi”, tha ministri Klosi.