Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas aludimeve për prezencën e personave të infektuar me koronavirus edhe në Shqipëri.

Rama ka publikuar në Facebook qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Shëndetësisë mbi koronavirusin dhe masat që ka marrë vendi ynë, ndërsa shkruan se nuk ka asnjë person të prekur me këtë virus, që si për gjithë botën edhe për Shqipërinë është një kërcënim potencial.

“Koronavirusi nuk e ka prekur Shqipërinë! Por si për gjithë botën është një kërcënim potencial, për të cilin janë marrë të gjitha masat në rast se do të na duhet ta përballim

Të njëjtat mendje të shthurrura, që ju shqetësuan keq me lajmet fallco dhe me gojëligësinë e tyre gjatë ditëve e netëve të gjata pas tërmetit, janë në veprim.

Mos bini pre e tyre dhe jini të sigurt se shteti shqiptar po e bën prej kohësh detyrën për të qenë gati në rast shfaqjeje të koronavirusit, të cilin jemi gati ta përballim me organizim e profesionalizëm të lartë”, shkruan Rama.