Ministri i Mbrojtjes, Anton Quni ka pritur në takim ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi.

Në fillim, ambasadori Minxhozi uroi ministrin Quni dhe përcolli urimet nga ana e homologes së tij, ministres Xhaçka. Duke vlerësuar lart personalitetin dhe profilin ushtarak dhe politik të ministrit Quni, ai shprehu besimin e plotë në suksesin e ministrisë dhe forcës në proceset në të cilat po kalon.

Gjithashtu, ambasadori Minxhozi shprehu konsideratën e lartë për nivelin e deritashëm të bashkëpunimit bilateral duke shprehur gatishmërinë e plotë dhe ofruar të gjitha kapacitetet shtetërore të Shqipërisë.

Si vend anëtar i NATO-s, ai ofroi mbështetjen e pa rezervë në zhvillimin dhe avancimin e aftësive dhe kapaciteteve operacionale të FSK-së dhe afirmimin e Kosovës për aderim në mekanizmat e sigurisë rajonale dhe euroatlantike.

Ministri Quni nga ana e tij, falënderoi ambasadorin dhe shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e përhershme e Shqipërisë në të gjitha periudhat dhe në arritjet e përgjithshme të Kosovës.

Ai, ndër tjera, foli edhe kontributin në profesionalizimin e kuadrove ushtarake të FSK-së përmes trajnimeve dhe shkollimeve si dhe kontributin e oficerëve shqiptarë në kuadër të ekipit këshillëdhënës të NATO-s.

Quni theksoi nevojën e intensifikimit të aktiviteteve dhe thellimit të mëtejmë të bashkëpunimit dhe marrëdhënieve vëllazërore mes dy shteteve, ministrive dhe forcave në funksion të interesave të përbashkëta dhe në funksion të paqes, stabilitetit dhe sigurisë rajonale dhe më gjerë.

Minxhozi, në takim shoqërohej nga atasheu ushtarak i Shqipërisë, kolonel Eduard Bala dhe këshilltari i NALT-it, nënkolonel Genti Bardhi, kurse ministrin Quni e shoqëruan shefi i Kabinetit Jashar Ramadani, këshilltari ushtarak kolonel Hamdi Pollomi dhe drejtori i Depart amentit për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Integrime Euroatlantike, kolonel Hasan Hoxha.