Seanca gjyqësore që u zhvillua në Katania për grupin e Habilajve dhe bashkëpuntorët e tyre në trafikun e drogës, ishte e para e procesit. Megjithatë, që në këtë seancë, ra në sy një diferencë e jashtëzakonshme mes dy gjyqeve paralele për të njëjtën vepër penale, pra për trafikun e drogës që ka bërë grupi i Habilajve nga dy anë e kufirit.

Diferenca duket që në faktin se për gjyqin në Itali, qelitë janë mbushur me 15 vetë, ndërsa për gjyqin që zhvillohet në Shqipëri, qelitë janë bosh. Pra në njërin shtet flitet për arrestime, ndërsa në tjetrin për arratisje.

Sot është e qartë se dosja që kishte përgatitur Antimafia italiane për Habilajt nuk i linte shumë zgjedhje trafikantëve të drogës. Në Katania në Vlorë, në makinë a në gomone, në telefon apo në lokale, ata kudo ishin nën mbikqyrje. Operacioni zgjati disa vite dhe kur, më në fund, iu vunë prangat, trafikantët ishin me shpatulla pas murit.

Materialet e përgjimit duhet t’i kenë impresionuar edhe vetë protagonistët e trafikut.

Jo më kot, që në seancën e parë të procesit, Moisi Habilaj dhe bashkëpuntorët e tij ngritën duart lart. Të gjithë njëzëri kërkuan gjykim të shkurtuar, me shpresën se ndoshta do të përfitojnë ulje me një të tretën e dënimit.

Me gjykimin e shkurtuar, të pandehurit praktikisht pranojnë kapitullimin në sallën e gjyqit.

Po çfarë ndodh në Shqipëri, me dosjen për trafikun e drogës nga grupi i Habilajve?

Pyetja më e saktë do të ishte: A ekziston një dosje në Shqipëri???

Në rastin e Shqipërisë, ia vlen të kujtohet se, para se para trafikimit, është kultivimi. Fara importohet nga jashtë, mbillet, kultivohet, korret, magazinohet, thahet, përpunohet etj. Pra në Shqipëri, Habilajve iu është dashur më shumë punë, më shumë lëvizje, për pasojë aktiviteti kriminal ka qenë më intensiv. Megjithatë, nuk iu hyri asnjë gjemb në këmbë.

I vetmi që provoi t’u dilte kundër kushërinjve të ministrit ishte oficeri i Antidrogës, Dritan Zagani, të cilën e futën në burg dhe e detyruan të arratiset, në kërkim të azilit.

Madje, kur Antimafia italiane i përgjonte Habilajt, Saimir Tahiri merrte rolin e guidës për deputetët e Partisë Socialiste dhe gazetarëve të huaj nëpër parcelat ku korrej kanabisi.

Ndërsa në Itali, trafikantët e drogës u dorëzuan që në seancën e parë të procesit, në Shqipëri gjërat janë ndryshe.

Florian Habilaj, njeriu që takonte shefin e madh në Tiranë (siç ka dalë nga përgjimet) është në arrati dhe i harruar nga policia. Tre shefat e policisë, Jaeld Çela, Sokol Bode dhe Gjergj Kohilajanë zhdukur pa lënë gjurmë. Financieri i bandës, Nazer Seiti, i vetmi i arrestuar nga policia, u ekstradua në mënyrë të paligjshme drejt Italisë.

Në Shqipëri ka mbetur vetëm ish-ministri i Brendshëm, i akuzuar për trafik ndërkombëtar droge dhe shpërdorim detyre. Saimir Tahiri qëndroi 16 ditë në arrest shtëpie, pastaj e liruan.

Duket e pabesueshme që kemi të bëjmë me gjykimin e të njëjtës vepër penale, e kryer nga i njëjti grup i dyshuar kriminal. Faktikisht vepra është e njëjtë, por ndryshimi qëndron tek vendi, ku po gjykohet krimi. Sepse ka vende ku trafikantët kapitullojnë para drejtësisë, ka edhe vende ku është shteti që kapitullon para trafikantëve.

Marrë nga "Lapsi.al"